Shkup, 11 mars – Rritja e hovshme e çmimit të naftës në Maqedoninë e Veriut po godet drejtpërdrejt konsumatorët dhe ekonominë, duke rritur varfërinë, pasi importet e naftës dhe derivateve mbulojnë mbi 65% të nevojave energjetike të vendit sipas Entit Shtetëror të Statistikave(ESHS). Vendimi i KRRE për rritjen e çmimeve me pakicë me mesatare 14.27% e bën barrën edhe më të rëndë për amvisëritë dhe sektorin e transportit. Kjo qasje mbase e imponuar prej zhvillimeve nga jashtë por brenda vendit tonë e rëndon edhe më shumë mbijetesën dhe e thellon varfërinë, shkruan Zhurnal.
G7 dhe tregjet ndërkombëtare shpresë për stabilizimin e situatës-
Një lajm i mirë në mesin e dhjetëra lajmeve negative është lajmi që G7 paralajmëroi përdorimin e rezervave strategjike, duke ulur përkohësisht çmimin e naftës në bursë në rreth 90 USD për barel. Ky veprim synon të zbusë presionin mbi tregjet, por mbetet i pasigurt nëse do të ketë efekt afatgjatë.
Një veprim tjetër në vrazhdën e optimizmit është një bisedë telefonike e realizuar sot mes dy liderëve më me së shumti impakt në botë. Pra, pas bisedimeve mes Putin dhe Trump, ekziston një hapësirë për shpresë se lufta në Iran mund të mos zgjasë shumë, duke rikthyer normalitetin në tregun e naftës dhe gazit.
Kjo situatë mbase do të ishte masa më e duhur dhe e nevojshme në këto ditë kur kriza e thellë dhe varfëria ekstreme veçse se na kanë trokitur në derë. Dhe, kjo nuk po ndodhë vetëm me vendin tonë që është e pritshme, por kjo krizë ka trokitur edhe në shumë shtete evropiane.
Varësia nga importet e naftës –
Sipas Entit Shtetëror të Statistikave 65.5% e energjisë së nevojshme në vend mbulohet nga importi. Në vitet që lamë pas kërkesa totale për energji ishte 2,541,849 ton ekuivalent nafte (toe).
Ndërkaq, produktet e naftës përbënin 44.7% të konsumit total. Transporti konsumon 47.6% të naftës, amvisëritë 26.1%, industria 16.9% dhe sektorët tjerë 8.4%.
Kjo tregon se Maqedonia e Veriut është jashtëzakonisht e varur nga importet e naftës, duke e bërë ekonominë të ndjeshme ndaj luhatjeve të çmimeve globale.
Vendimi i KRRE dhe çmimet e reja –
Kujtojmë që nga dje, 10 mars 2026, çmimet maksimale të derivateve janë:
– Benzinë EUROSUPER BS-95: 79.50 den/litër (+5 den)
– Benzinë EUROSUPER BS-98: 81.50 den/litër (+5 den)
– Dizel EURODIESEL BS (D-E V): 85.50 den/litër (+14.50 den)
– Vaj ekstra i lehtë (EL-1): 82.50 den/litër (+12.50 den)
– Mazut M-1 NS: 42.586 den/kg (+7.044 den)
Rritjet më të forta janë te dizeli (+36.134%) dhe vaji ekstra i lehtë (+32.102%), që prekin drejtpërdrejt transportin dhe amvisëritë.
Pasojat janë të shumta pasi rritja e çmimeve të derivateve rrit kostot e transportit publik dhe privat, duke ndikuar në çmimet e mallrave bazë. Amvisëritë përballen me rritje të shpenzimeve për ngrohje dhe energji, duke ulur fuqinë blerëse. Industria humbet konkurrueshmërinë, pasi kostot e prodhimit rriten. Në afat të shkurtër, kjo situatë rrit nivelin e varfërisë, veçanërisht te shtresat me të ardhura të ulëta.
Nëse ndodhë që lufta në Iran përfundon shpejt dhe tregjet stabilizohen, çmimet mund të kthehen në nivele më të ulëta. Por nëse tensionet zgjasin, Maqedonia e Veriut do të përballet me krizë energjetike, të derivateve të naftës, që pastaj prodhohet edhe krizë sociale.
Kujtojmë që, kjo situatë duhet të shërbejë si moment kur politika energjetike e vendit duhet të fokusohet në diversifikimin e burimeve dhe investime në energji të rinovueshme, për të ulur varësinë nga importet e naftës, në mënyrë që të arrij të krijojë rezervat e nevojshme për mbijetesë në situata të tilla. /Zhurnal.mk
