Saranda Imeri Stafai i kundërpërgjigjet Bujar Osmani për Alta Bankën serbe: Aksionet u blenë nga njerëz të afërt me BDI-në

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 02 nëntor, Zhurnal.mk – Saranda Imeri Stafai ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj të dhënave të publikuara nga Bujar Osmani për investimet serbe në Maqedoninë e Veriut. Ajo pretendon se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, investimet nga Kosova dhe Shqipëria kanë qenë dukshëm më të larta se ato nga Serbia, duke e cilësuar këtë si rezultat të politikës ekonomike që ndjek VLEN-i.

Në reagimin e saj, Imeri Stafai e ka cilësuar Bujar Osmanin si një nga përkrahësit e nismës “Open Balkan”, duke komentuar publikimin e tij për investimet e Serbisë gjatë vitit 2025.

Ajo ka përmendur edhe hyrjen e Alta Bankës serbe në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut gjatë vitit 2025, duke ngritur pretendime për lidhjet e personave që, sipas saj, qëndrojnë pas blerjes së aksioneve me drejtues të BDI-së.

Kosova dhe Shqipëria investuan 3.5 herë më shumë se Serbia

Më tej, Imeri Stafai ka publikuar shifra që, sipas saj, tregojnë nivelin e investimeve të huaja gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.

Sipas të dhënave që ajo ka prezantuar, investimet nga Kosova në Maqedoninë e Veriut kanë arritur në 2.4 milionë euro, ndërsa ato nga Serbia në 2.1 milionë euro. Ndërkaq, investimet nga Shqipëria, sipas saj, kanë kapur vlerën prej 5.14 milionë eurosh.

Duke iu referuar këtyre shifrave, Imeri Stafai thekson se Kosova dhe Shqipëria së bashku kanë investuar rreth 7.54 milionë euro, ose afërsisht 3.5 herë më shumë se Serbia gjatë periudhës së njëjtë.

Ajo shprehet se pret që investimet nga Shqipëria dhe Kosova të rriten edhe më tej deri në fund të vitit.

Në fund të reagimit, Imeri Stafai e ka lidhur këtë zhvillim me orientimin ekonomik të VLEN-it, duke theksuar dallimin mes politikës së tyre dhe qasjes së Bujar Osmanit dhe përkrahësve të “Open Balkanit”, të cilët, sipas saj, i kanë dhënë prioritet investimeve serbe.

artikuj të ndërlidhura