Shkup, 10 Mars, Zhurnal.mk – Veterani politikan shqiptarë në Maqedoni të Veriut, Zijadin Sela, mbrëmë bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare duke shpresuar se këto zgjedhje të ndryshonin gjendjen e përkrahjes së partive politike, dhe sidomos atë midis LSDM-së dhe VMRO-DPMNE, shkruan Zhurnal.mk.
Sela tha se në këto zgjedhje, sikur të mbaheshin, do të shihej nëse do të rivendosej “balanci në kampin politik maqedonas”, e në të njëjtën kohë sipas tij të njëjtat zgjedhje do të “prodhojnë politikanë shqiptarë të vendosur” që, siç tha ai do të “dijnë” të përballen me një VMRO-DPMNE “të fortë”.
LSDM-ja e dobët
LDSM-ja aktualisht ndodhet shumë poshtë me përkrahje nga qytetarët maqedonas. Mbetet e panjohur se ku e mbështet shpresën Zijadin Sela se kjo LSDM do të ngritej me përkrahje aq shumë sa që ajo do të mund të krijonte koalicion me ndonjë parti, apo grupim të partive politike shqiptare, për të formuar një qeveri të re koalicioni, siç ka ndodhur më parë, pra edhe para zgjedhjeve të Majit 2024.
Anketat vazhdojnë ta plasojnë LDSM-në shumë poshtë, madje edhe më poshtë sesa dy grupimet ndaras të partive politike shqiptare.
Sikur të kishte ndonjë anketë që e bënë LSDM-në në mbi 40% të përkrahjes, shpresa dhe thirrja e Selës do të pinte ujë. Por anketa e prillit 2025 thotë se LSDM ka një përkrahje prej vetëm 10,9 %.
Do të duhej të ketë anketë të freskët, pra këtë vit, për të parë se a ka ndryshuar gjendja e përkrahjes ndaj LDSM-së dhe krejt partive të tjera, në të dy kampet, ai maqedonas dhe ai shqiptarë, shkruan Zhurnal.mk.
Politikanët shqiptarë të “vendosur”
“Zgjedhjet e parakohshme do të prodhojnë politikanë shqiptarë të vendosur që do të dinë të përballen me një VMRO të fortë”, tha veterani i politikës Sela në Click Plus tëTV21.
Për cilët politikanë e ka fjalën Sela e i cili vet është veteran në skenën politike shqiptare? Cilët qenkan ata politikanë shqiptarë që do të “prodhohen” nga këto zgjedhje për t’u përballë me një VMRO-DPMNE të fortë?
Edhe kjo mbetet enigmë, nëse bazohemi në interpretimin korekt të fjalës “prodhohen” që e përdori Sela, sepse veteranët nuk prodhohen më, të rinjtë “prodhohen”, pra dalin në skenë politike dhe marrin përkrahje e me kalimin e kohës edhe ata shndërrohen në veteranë, siç është Sela dhe një nummër i madh i politikanëve shqiptare në të gjitha partitë shqiptare aktuale në vend.
Efektet e krizës globale
Pse Sela kërkon zgjedhje të reja pikërisht tash në momentet e krizës jashtëzakonisht të madhe globale, së cilës tash iu bashkëngjit edhe lufta/luftimet në Lindjen e Mesme efektet e së cilës po godasin gjithandej për shkak të problemeve me furnizim me naftë e gaz?
Si do të ndikonte fushata zgjedhore, e deri te formimi i qeverisë së re apo riformimi i kësaj të tashmes, në krizën e cila tashmë ka filluar të ndjehet edhe në Maqedoni të Veriut me ngritjen e çmimeve, ashtu sikur edhe në vendet e tjera të rajonit dhe Evropës?
Do të duhej një analizë e thellë për të zbërthyer të mirat dhe të këqijat e ndonjë vendimi eventual për zgjedhje të parakohshme, kur ende nuk dihet se kur do të përfundojë kriza globale dhe efektet e saj në Maqedoni të Veriut.
Riciklimi
Dhe në fund të fundit, çka do të kishte të re në programet e partive politike shqiptare për dallim nga programet e tyre të vjetra nga veteranët e tashëm të cilët vazhdojnë që t’i dominojnë edhe të rinjtë në partitë e tyre politike?
Ardhja në pushtet do të duhej të mbështetej e të arrihej me ide të reja, kërkesa të reja,, pra kreativitet. Riciklimi nuk është risi.
