Shkup, 2 shkurt – Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, foli edhe për ndarjen e partisë së tij nga koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI).
Sela theksoi se ndarja ishte e domosdoshme për shkak të “lojërave” të shumta dhe për të ruajtur imazhin e pastër të Aleancës për Shqiptarët.
“Aleanca për Shqiptarët duhej të ndahej nga ky koalicion për shkak të shumë lojërave, por edhe për shkak të imazhit që ka partia. Aleanca për Shqiptarët është e pastër, pavarësisht përpjekjeve për ta futur në ‘koshin e të njësojëve’. Ne kemi pasur vetëm 45 ditë në Qeveri në vitin 2017, por brenda kësaj periudhe kemi sjellë ligjin për gjuhët, kemi vendosur kryeparlamentarin e parë shqiptar dhe kemi rrëzuar një regjim asokohe, që rezultoi edhe me anëtarësimin e vendit në NATO”, deklaroi Sela.

