Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë fituar medaljen e artë në finalen olimpike të skijimit të lirë në disiplinën “aerials” për ekipet mikse, duke mbrojtur titullin e fituar në vitin 2022.
Zvicra e ka marrë medaljen e argjendtë, ndërsa favoriti Kina është dashur të kënaqet me të bronztën.
Skuadra amerikane ka triumfuar me 325.35 pikë nga maksimumi 450 të mundshme. Në përbërje kanë qenë Kaila Kuhn, Christopher Lillis dhe Connor Curran. Kuhn, kampione bote e vitit 2025 në garën individuale dhe atë mikse, kishte përfunduar e pesta në finalen olimpike të femrave, ndërsa Lillis dhe Curran ishin renditur i teti dhe i dymbëdhjeti në finalen e meshkujve.
Zvicra ka grumbulluar 296.91 pikë, ndërsa Kina 279.68 pikë.
Shpresat e kinezëve për medalje më të lartë janë zbehur pas gabimeve të Wang Xindi dhe Li Tianma, të cilët janë rrëzuar në ulje pas kërcimeve me shkallë të lartë vështirësie.
Gara është zhvilluar në kushte të vështira atmosferike, me mot të vranët dhe reshje bore, që kanë ndikuar në dukshmëri.
