Shkëndija sonte do të përballet me Samsunspor në një sfidë të fazës së plej of-it në Ligën e Konferencës.
Kjo ndeshje është një moment historik për klubin tetovar dhe për futbollin e Maqedonisë së Veriut, pasi është hera e parë që Shkëndija, por edhe një skuadër nga vendi, arrin në një fazë kaq të avancuar të një kompeticioni europian. Njëkohësisht, për Shkëndijën kjo do të jetë hera e parë që përballet me një kundërshtar nga Turqia, çka e bën përballjen edhe më interesante dhe sfiduese.
Trajneri i skuadrës tetovare Jeton Beqiri nuk do t’i ketë në dispozicion dy futbollistë të rëndësishëm, Liridon Latifin dhe Aleksandar Trumçin, të cilët mungojnë për shkak të kartonave. Megjithatë, pjesa tjetër e ekipit është e gatshme dhe e motivuar maksimalisht për këtë duel vendimtar, me synimin për të dhënë gjithçka në fushë dhe për të arritur një rezultat pozitiv. Takimi ndërmjet Shkëndijës dhe Samsunsporit do të zhvillohet në arenën “Todor Proeski”, me fillim nga ora 21:00./Sportmania/
