“Shqipëria rrezikon të bëhet si Bejruti”- Auron Tare: Deputetët janë të papërgjegjshëm kur kalojnë ligjet, përgjegjësia do i mbetet investitorëve

Nga Xh M
261 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 10 prill Zhurnal.mk – Eksperti i trashëgimisë kulturore, Auron Tare, tha sot në një lidhje direkte me emisionin “Kjo Javë” në News 24, se bregdeti i Shqipërisë rrezikon të kthehet si Bejruti.

Ai e cilësoi ligjin për portet turistike dhe marinat si të nxituar, të padiskutuar mirë dhe theksoi se debati duhet të ishte bërë para se të kalohej në Parlament.

Tare i quajti portet si pasuri kombëtare dhe publike që nuk mund t’i jepen lehtë investitorëve strategjikë, sepse ka edhe rreziqe dhe probleme, kurse deputetët i quajti të papërgjegjshëm kur i votojnë ato.

“Ky debat duhet të ishte bërë para sse të kalohej projektligji, mendoj unë, e para. E dyta, nuk jam shumë në brendësi të kësaj çështjeje, por lexova dhe vura re se një deputete që ka qenë dikur e opozitës, ka qenë në çadër, tani ka një problem do thosha unë. Para se të vlerësohej e votohej ky ligj i rëndësishëm duhej një diskutim dhe kur kam qenë unë në krye të Agjencisë Turistike nuk ka pasur ekspertë për marinat dhe në atë kohë solla disa ekspertë që bënë disa marina. Pasi panë bregdetin thanë se marinat në Shqipëri nuk janë rentabël, unë vetë nuk jam ekspert por dëgjova ata që kanë bërë marinat në botë. Kroacia e Mali i Zi kanë infrastrukturë për marinat dhe pozicion, të klasit të lartë”, u shpreh ai.

Eksperti shpjegoi edhe pse nuk mund të ndërtohen marina në Shqipëri dhe gabimin që kanë bërë ligjvënësit me ngritjen e dorës në Kuvend.

“Për të pasur marinë duhet të kesh infrastrukturë mbrapa saj si hekurudhë, ujë, drita etj., dhe më kryesorja, duhet të kesh qytete të bukura. Pra nëse këta që kanë jahte luksoze do vijnë të ankorojnë në Durrës, Shëngjin apo diku tjetër, përpos paditurisë së atyre që kanë ngritur dorën për këtë ligj, barra do i bjerë investitorëve e jo deputetëve që ngritën dorën apo deputetes në fjalë që e propozoi. Se këta nuk mbahen mend, i mbani mend ju? Këta deputetë janë të papërgjegjshëm kur i votojnë, problemi do mbetet te investitorët, vendi, vende që do kenë probleme në të ardhmen për të kryer investimin”, tha Tare.

Kurse për çështjen e investimeve në bregdet ai theksoi se ai tashmë është shitur dhe jo po shitej, sepse po të shohësh pjesën e jugut, e cilësoi si “mish-mash”.

Tare paralajmëroi se me këto ritme Shqipëria rrezikon të kthehet si Bejruti.

“Unë mendoj se është shitur, jo po shitet. Po të shohësh nga Llogaraja e poshtë e ka humbur identitetin e saj, nëse do bëhej në rregull, e planifikuar dhe jo mish madh që s’ka lidhje fare me Shqipërinë dhe pak e nga pak edhe pjesët e tjera po shndërrohen. Mendoj se edhe ne do përfundojmë si Bejruti që investoi dhe prishi atëherë të gjithë vilat dhe bëri pallatet në pjesën turistike që tashmë ka falimentuar, ka hotele që nuk hapen më, pavarësisht luftës. Shqipërisë i erdhi fat me turizmin dhe nuk e administroi dot. Rrezikon ta humbasë turizmin dhe vlerën turistike”, u shpreh ai.

Duke iu referuar projekteve të marinave në Shqipëria, ai ironizoi pritshmëritë për ankorimin e jahteve të miliarderëve botërorë, duke përmendur emra si Jeff Bezos, dhe duke e quajtur këtë ide “një shaka të madhe” në kushtet aktuale.

“Çdo marinë duhet të ketë një industri të riparimit të jahteve dhe duhet të ksh qytete të bukura. Nëse mendoni se Jeff Bezos do të ankorojnë jahtin e tyre në Shëngjin, Vlorë, Sarandë, është një shaka shumë e bukur. Përpos paditurisë të atyre që kanë ngritur dorën për këtë ligj, barra do t’u bjerë investitorëve. Deputetët ikin në shtëpi e nuk i mban më mend njeri. Investitorët me shumë mundësi nuk do të kenë rezultatin që presin dhe ne do të kemi porte që do të kenë probleme në të ardhmen”, përfundoi ai.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër