Si po ndikon ndryshimi i klimës në përbërjen e gjakut të njeriut?

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Rritja e vazhdueshme e dioksidit të karbonit (CO₂) në atmosferë mund të lidhet jo vetëm me ndryshimet klimatike, por edhe me ndryshime afatgjata në kiminë e gjakut të njeriut, sipas një studim i ri i publikuar në revistën shkencore “Air Quality, Atmosphere & Health”.

Studimi, i kryer nga studiues të Universitetit Curtin,Institutit Australian të Kërkimeve për Fëmijët dhe Universiteti Kombëtar Australian analizoi të dhëna shëndetësore të popullsisë amerikane nga programi kombëtar NHANES për periudhën 1999–2020.

Studiuesit shqyrtuan veçanërisht nivelet në gjak të bikarbonatit, kalciumit dhe fosforit.

Rezultatet treguan se niveli mesatar i bikarbonatit (HCO₃⁻) në gjak është rritur gjatë këtyre dy dekadave, ndërsa nivelet e kalciumit dhe fosforit kanë shënuar rënie.

Ndryshimi i bikarbonatit ka ndjekur në mënyrë të ngjashme rritjen e CO₂ në atmosferë.

Në vitin 1999, niveli mesatar i bikarbonatit ishte rreth 23,7–23,8 mEq/L, ndërsa në vitet 2019–2020 arriti në rreth 25,3 mEq/L, një rritje prej afërsisht 7%.

Pse është i rëndësishëm bikarbonati?

Bikarbonati është një komponent thelbësor i sistemit, që ndihmon trupin të kontrollojë aciditetin e gjakut dhe të transportojë CO₂ drejt mushkërive, ku ai eliminohet përmes frymëmarrjes.

Kur CO₂ rritet në organizëm, ai shndërrohet në acid karbonik dhe më pas në jone hidrogjeni dhe bikarbonat.

Organizmi aktivizon mekanizma kompensues, përfshirë veshkat, për të ruajtur ekuilibrin acid-bazë.

Studiuesit vërejnë se rritja e bikarbonatit në popullatë është shqetësuese sepse, nëse trendi aktual do të vazhdonte në mënyrë lineare, niveli do të arrinte kufirin e sipërm të intervalit të konsideruar të shëndetshëm rreth vitit 2076.

Megjithatë, ky është një projeksion, jo një parashikim i sigurt.

Studiuesit theksojnë se marrëdhënia mund të mos jetë lineare dhe se faktorë të tjerë mund të kenë ndikuar në ndryshimet e vërejtura.

A do të thotë kjo se ajri po na “helmon” gjakun?

Jo në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Studimi nuk mati CO₂ në gjakun e individëve dhe nuk provoi se rritja e CO₂ atmosferik ishte shkaku i vetëm i ndryshimeve në analizat e gjakut.

Autorët përdorën ndryshimet e bikarbonatit, kalciumit dhe fosforit si tregues indirektë të ekspozimit ndaj ndryshimeve në CO₂ atmosferik.

Megjithatë, autorët argumentojnë se përputhja mes dy tendencave – rritjes së CO₂ në atmosferë dhe ndryshimit të parametrave të gjakut – meriton hetim të mëtejshëm.

Një tjetër shqetësim lidhet me faktin se përqendrimet e CO₂ mund të jenë shumë më të larta brenda ambienteve të mbyllura sesa jashtë.

Studimi përmend kërkime të mëparshme që kanë raportuar efekte fiziologjike të ekspozimit ndaj niveleve të larta të CO₂, megjithëse këto nuk duhet të ngatërrohen me efektin afatgjatë të rritjes së CO₂ atmosferik.

Çfarë mund të ndodhë në të ardhmen?

Sipas modelimit të autorëve, nëse tendencat e vërejtura midis viteve 2000 dhe 2020 do të vazhdonin, bikarbonati në gjak mund të arrinte kufirin e sipërm të intervalit, të pranuar si të shëndetshëm brenda rreth 50 vjetësh.

Kalciumi dhe fosfori, sipas të njëjtit model, mund të arrinin kufijtë e poshtëm të intervaleve të tyre të shëndetshme më vonë gjatë këtij shekulli.

Studiuesit theksojnë se pasojat konkrete shëndetësore të këtyre ndryshimeve, nuk janë ende të përcaktuara dhe kërkohen studime të mëtejshme për të kuptuar nëse CO₂ atmosferik është shkaku i tyre.

Studimi u publikua më 26 shkurt 2026 dhe është realizuar nga Alexander N. Larcombe dhe Phil N. Bierwirth.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër