Spitali “Shefqet Ndroqi” merr Kartën e Autonomisë Menaxheriale, Sala: Mundësi për të zgjeruar shërbimet

nga D. V.

Qendra Spitalore Rajonale e Tiranës “Shefqet Ndroqi” merr zyrtarisht Kartën e Autonomisë Menaxheriale, duke e çuar në 12 numrin e spitaleve në vend që e kanë përfituar këtë status, që nga hyrja në fuqi e ligjit për autonominë spitalore, në vitin 2022.

Gjatë vizitës në këtë spital, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, e cilësoi këtë moment si një hap të rëndësishëm në konsolidimin e reformës së autonomisë spitalore dhe i hap rrugën autonomisë financiare të institucioneve shëndetësore publike.

“Autonomia menaxheriale nuk është thjesht një status, por një përgjegjësi më e madhe për të gjithë. Ajo i jep institucionit fleksibilitet në vendimmarrje, më shumë pavarësi në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe financiare, si dhe mundësi për të zgjeruar shërbimet në përputhje me nevojat reale të pacientëve”, u shpreh ministrja Sala.

Përmes Kartës së Autonomisë Menaxheriale spitali fiton pavarësi administrative, organizative dhe kontraktuese, duke mundësuar lidhjen e kontratave të reja, zhvillimin e bashkëpunimeve me qendra universitare brenda dhe jashtë vendit, si dhe rritjen e eficiencës në përdorimin e burimeve.

Ky zhvillim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e aksesueshmërisë së qytetarëve në shërbime shëndetësore, zgjerimin e paketave të trajtimit, përmirësimin e performancës financiare dhe forcimin e cilësisë së kujdesit spitalor.

Karta e Autonomisë Manaxheriale u pilotua për herë të parë në Spitalin Memorial të Fier, në vitin 2022, e pas tij këtë autonomi e morën: Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Spitalet Universitare Obstetrike – Gjinekologjike “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni”, spitalet rajonale në: Elbasan, Korçë, Vlorë, Lezhë, Shkodër, Gjirokastër dhe Durrës.

postime të lidhura

Shkruani një koment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy