Starmer: Lufta me Iranin rrit nevojën për forcimin e lidhjeve BM- Irlandë

Nga D. V.
675 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Konflikti në Lindjen e Mesme dhe tensionet me Iran kanë rritur nevojën për bashkëpunim të ngushtë mes Britanisë së Madhe dhe Irlandës – veçanërisht në fushat e sigurisë dhe energjisë, tha sot kryeministri britanik, Keir Starmer.

Deklarata e Starmer erdhi gjatë samitit të dytë Britani e Madhe–Irlandë, gjatë të cilit ai u takua me homologun e tij irlandez, Micheal Martin në Qarkun e Korkut.

Dy liderët theksuan se koordinimi më i madh mes dy vendeve mbetej thelbësor për garantimin e sigurisë ekonomike dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, përfshirë kabllot nënujore dhe përballimin e sulmeve kibernetike.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe bashkëpunimi në fushat e energjisë dhe tregtisë, ku një interkonektor i ri mes Uellsit dhe Irlandës pritet të furnizojë me energji rreth 570 mijë banesa, ndërsa një projekt tjetër energjetik mes Irlandës së Veriut dhe Irlandës synon uljen e kostove të energjisë në ishull.

“Evropa duhet të rrisë bashkëpunimin dhe investimet në mbrojtje për t’u përballur me sfidat e një bote gjithnjë e më të pasigurt”, tha Starmer.

“Më shumë se 900 milionë paund investime të reja irlandeze në Britanine e Madhe ishin pjesë e lidhjeve “të lulëzuara” midis Irlandës dhe Britanisë se Madhe”, shtoi ai.

Investimet e reja prej 937 milionë paundësh nga kompanitë në Irlandë pritet të krijojnë rreth 850 vende pune në Londër, Doncaster, Uells Jugor dhe Skoci, dhe të mbulojnë rrjetet e gazit, inteligjencën artificiale (IA) dhe cloud computing, si dhe shërbimet financiare.

Samiti u konsiderua si pjesë e përpjekjeve për një “rifillim” të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe forcimin e projekteve të përbashkëta deri në vitin 2030. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër