Stop “kredive të shpejta” – po ua thithin gjakun e fundit qytetarëve!

nga Redaksia

Shkup, 24 shtator – Çështja e të ashtuquajturave “kredi të shpejta” u rikthye sërish në opinion, pasi kërkesat e shumta e detyruan guvernatorin e Bankës Popullore të sqarojë se nuk janë ata insitucioni që i jep lejet për këto firma, por është Ministria e Financave, ajo e cila iu mundëson këtyre kompanive që të operojnë në vend, shkruan “Zhurnal.mk”.

Kjo dukuri u shfaq viteve të fundit dhe është një nga tragjeditë më të mëdha që po i ndodhë këtij populli. Trekëndëshi i bzinesit që sillej gjithandej ishte kazino-kredi të shpejta-barnatore. Të gjitha këto kompani operojnë njëra afër tjetrës. Ai që shkon e luan bixhoz, në momentin kur mbetet pa para, shkon e futet në borxh edhe më të thellë përmes kredive të shpejta, e pastaj i harxhon edhe ato para dhe në fund kërkon zgjidhje përmes ilaçeve e drograve të ndryshme.

Kështu ky trekëndësh ishte fatkeqësia më e madhe që mundej t’i ndodhte kësaj shoqërie. E përderisa për kazinotë dhe lojërat e fatit, u morrën disa veprime konkrete dhe u mbyllën ato, për “kreditë e shpejta” ende nuk ka ndonjë vendim konkret. Përderisa politikanët po përpiqen të gjejnë kush është fajtori dhe sa do humbin nëse i mbyllin këto kompani, populli i mjerë po zhytet edhe më shumë në borxhe dhe në varfëri të skajshme.

Kreditë e shpejta janë një “zgjidhje” për qytetarët që kanë nevojë për para dhe nuk kanë mundësi të aplikojnë për një kredi bankare ose janë në vështirësi kohore. Pa dokumente të shumta dhe procedura të gjata administrative, problemet zgjidhen me ndërmjetësimin e kompanive financiare , të cilat janë të shpejta dhe efikase.

Ky model i thjeshtë pune vitin e kaluar u solli 32 kompanive në këtë fushë një të ardhur totale prej 99.6 milionë eurosh , që është 24.81 për qind më mirë se rezultati i vitit të kaluar e që ishte 79.8 milionë euro, shkruan “Zhurnal.mk”.

Në tregun financiar funksionojnë 36 kompani që japin kredi të shpejta, ndërsa me ndryshime dhe kontrolle më të rrepta nga qershori i këtij viti, kanë ngelur vetëm 26 kompani që janë të regjistruara në regjistrin e Ministrisë së Financave.

Nëse analizohen pasqyrat financiare të dhjetë kompanive që renditen të parat shifrat janë tmerruese se çfarë fitimi kanë shtuar nga viti i mëparshëm. Prej dhjetë kompanive, tetë prej tyre janë të regjistruara në Shkup, ndërsa një tjetër është e regjistruar në Tetovë dhe një në Manastir. Kompania në Tetovë ka shënuar rritje prej 131 %, pra nëse në vitin 2023 kishte profit prej 340 mijë euro, tani ka fitim prej 787 mijë eurove. Të gjitha pesë kompanitë e fundit, kanë fitime marramendëse, ndërsa njëra prej tyre ka shënuar profit prej 412 %, ose thënë ndryshe nga 295 mijë euro në vitin 2023, në 1.5 milionë euro në vitin 2024.

Pa hyrë në detaje të analizojmë se cila kompani sa ka arritur fitim, vetëm nëse analizohet shuma totale se 100 milionë euro këto kompani kanë fituar gjithsej nga xhepat e fukarenjve e të atyre që kanë pasur nevojë për para të shpejta, është një shifër që duhet ta çojë në këmbë këtë qeveri dhe këtë popullatë.
Mëkati më i madh është që të fitosh para në dëm të të varfërit, në dëm të nevojtarit, e kjo faktikisht po ndodh me kreditë e shpejta. Janë rrjepje e pastërt e popullit, e sidomos këtu pre e këtyre veprimeve bëhen ata që janë të varfër, që kanë llogari bankare të mbyllura, që kanë probleme financiare dhe që nuk arrijnë të mbulojnë borxhet e shumta. Me kreditë e shpejta, iu mundësohet atyre që edhe më shumë të futen në llumin financiar dhe mos të arrijnë asnjëherë të dalin. Në këtë formë, shumë prej këtyre aplikuesve shkojnë nëpër përmbarues dhe pastaj fillojnë problemet edhe më të mëdha, nxjerrje nga shtëpia, humbje të pasurisë familjare dhe shkatërrim total.

Politikanët dhe kjo qeveri duhet me urgjencë që të marrë vendime të shpejta dhe të duhura që mos të lejojë kjo çështje të zmadhohet. Ngjashëm sikur me kazinot, duhet t’iu këputet krahu edhe këtyre firmave që po ua thithin gjakun e fundit qytetarëve, shkruan “Zhurnal.mk”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More