Prishtinë, 26 tetor, Zhurnal.mk – Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar vonesat në përcaktimin e procedurës për amandamentimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se ende nuk ka veprime konkrete nga institucionet, raporton Ekonomia Online.
Tahiri ka thënë se Aleanca ka kërkuar nga Komisioni për Legjislacion dhe Zyra Ligjore që të përcaktojnë procedurën e saktë për miratimin, përkatësisht amandamentimin e ligjit, por sipas tij, kjo ende nuk ka ndodhur.
Ai ka theksuar se partia e tij e mbështet këtë ligj pa kushte, ndërsa ka kritikuar zvarritjen e procesit, duke e lidhur me nevojën për mbështetjen e katër ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Alenaca ka kërkuar nga Komisioni për Legjislacion, nga Zyra ligjore, të përcakton procedurën e saktë se si do të ndodhë miratimi, respektivisht amandamentimi i këtij ligji. Kjo deri tani nuk ka ndodhur, kjo zgjatje nuk është në funksion të kauzës tonë kombëtare, të shtetit të Kosovës, që duhet të jetë mbrojtje të atyre 4 burrave të cilët po ashtu ia dhanë Kosovës një dhimbje të madhe me 16 shtator. Koha po kalon, veprimi i shtetit nuk po ndodh ende, nuk është takuar Komisioni Shtetëror, ende nuk ka veprime konkrete të cilat duhet të merren. Aleanca këto çështje do t’i përcjellë për shkak se ka qenë në mbështetje të këtij ligji, pa asnjë kusht. Pa asnjë kërkesë me bindjen tonë që duhet t’ju japim krah atyre burrave atje”, tha ai.
