Shkup, 17 shtator Zhurnal.mk – Pas vetëm 11 javësh nga formimi i ekipit për luftën kundër drogës, autoritetet kanë konstatuar rezultate të pamjaftueshme në luftën kundër tregtisë së paligjshme të narkotikëve.
Për këtë arsye, me propozim të drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, dhe me miratimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, është shpërbërë njësia rajonale për luftën kundër tregtisë me drogë në kuadër të Policisë Kriminalistike të SPB-së Kumanovë.
Vendimi u bë i ditur gjatë vizitës së punës së drejtorit Janev në SPB Kumanovë, ku në fokus ishin gjendja e sigurisë dhe lufta kundër tregtisë dhe shpërndarjes së paligjshme të drogës dhe substancave psikotrope në rajonin e Kumanovës, Kratovës dhe Kriva Pallankës.
Sipas MPB-së, të gjithë pjesëtarët e njësisë janë shkarkuar nga detyrat dhe janë sistemuar në vende të tjera pune, ndërsa në vend të tyre janë caktuar zyrtarë të rinj policorë.
“Në luftën kundër kriminalitetit nuk ka hapësirë për punë vetëm në letër. Nevojiten aksione konkrete, autorë të zbuluar, drogë të sekuestruar dhe rrjete kriminale të shkatërruara. Kur mungojnë rezultatet, pason përgjegjësia, pa arsyetime dhe pa privilegje”, deklaroi Janev.
Ai paralajmëroi se hapa të ngjashëm do të ndërmerren edhe në të ardhmen, kudo ku konstatohet mosangazhim ose mungesë rezultatesh në punën policore.
