Tiranë, 2 mars – Gazetari Artan Hoxha ka paralajmëruar në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, se rrezja e raketave balistike iraniane mund të shtrihet deri në Europë. Duke komentuar tensionet në rritje në Lindjen e Mesme, ai theksoi se Irani ka humbur një pjesë të fuqisë rajonale që ka pasur më herët dhe se regjimi në Teheran ndodhet në një nga momentet më të dobëta të tij gjatë dekadave të fundit.
“Irani e ka humbur fuqinë rajonale që ka patur. Nuk e ka më atë fuqi. Dhe me goditjen që mori gjatë vitit të kaluar dhe protestat e mëdha që shpërthyen më mbrapa, dukej që regjimi ishte në një pozicion nga pozicionet më të dobëta që ai ka patur gjatë gjysmë shekulli që ata e drejtojnë një vend aq të madh siç është Irani. Në këto kushte Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli realizuan këtë sulm. Britania nuk i bashkua këtij operacioni. Por goditja ka qenë fatale, sepse nuk është goditur vetëm ë Ajatollau. Është goditur bërthama që e qeveriste atë vend. Ai vend kishte për shkak edhe të konfliktit 10 vjeçar që ka patur me Irakun kishte investuar dhe kishte një infrastrukturë ushtarake, goxha të madhe e cila i kushtonte vendit shumë. Por nga ana tjetër fuqia me të cilën ai vend është përballur, pra Irani është një fuqi rajonale, jo globale. Kaq është fuqia e tij. Kam parë edhe gjatë vitit të kaluar, rrezja e raketave që ata thoshin mund të vijë deri në Europë, raketa balistike, por ai është një fuqi rajonale, nuk është një fuqi globale”, tha Artan Hoxha në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Nga ana tjetër, sipas tij, Irani përballet me sfida të brendshme dhe të jashtme, përfshirë tensionet me vendet arabe, raportet e ndërlikuara me Turqinë dhe çështjen kurde. Sipas Hoxhës, popullsia kurde e shpërndarë në Irak, Siri, Turqi dhe Iran, në rrethana të caktuara mund të ndikojë ndjeshëm në balancat gjeopolitike.
