Bruksel, 2 Mars 2026, Zhurnal.mk – Komisioni Evropian (KE) shmangu komentimin e drejtpërdrejtë të propozimit të udhëheqësve të Shqipërisë dhe Serbisë për integrimin në BE të vendeve kandidate pa të drejtë vote/vetoje, par komisionerë dhe deputetë në Parlamentin Evropian (PE) por qasje vetëm në tregun unik të BE-së dhe zonën Shengen, por e riafirmoi angazhimin e tij për të bërë që pranimi i vendeve aspiruese të ndodhë me rregullat ekzistuese aktuale në fuqi për anëtarësim të plotë.
Një zëdhënës i KE-së tha për Zhurnal.mk se për Komisionin Evropian aktual, i udhëhequr nga Kryetarja Ursula von der Leyen, zgjerimi i BE-së “është një përparësi kyçe” dhe “një nga mjetet më të fuqishme të BE-së për stabilitet, siguri dhe prosperitet të përbashkët”.
“Dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar për ta bërë zgjerimin realitet. Për ta bërë këtë, ne i mbështesim vendet në zgjerim me të gjithë ndihmën e nevojshme politike, ekonomike dhe teknike. Dhe integrimi gradual tashmë po jep përfitime konkrete që para anëtarësimit”, shtoi zëdhënësi, kur u pyet në lidhje me propozimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçiç mbi idenë e tyre të botuar në një tekst në të përditshmen gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) të shtunën.
Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç, u bënë thirrje 27 shteteve anëtare të BE-së për atë që e quajtën “integrim të përshpejtuar” të vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian pa të drejta vetoje, pa pasur anëtarë në Komisionin Evropian dhe pa deputetë në Parlamentin Evropian.
Të dy udhëheqësit thanë se një opsion i tillë për anëtarësim në BE do t’u lejonte vendeve kandidate të rajonit (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) integrimin në tregun e brendshëm të BE-së dhe zonën Shengen të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.
“Kjo mund të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët, ndërkohë që njëkohësisht do të forcojë pozicionin ekonomik dhe gjeopolitik të BE-së pa e rënduar arkitekturën e vendimmarrjes së BE-së dhe pa ndryshuar ekuilibrin e saj institucional. Kjo nuk do të nënkuptonte as të drejta vetoje, as komisionerë shtesë, anëtarë të Parlamentit Europian, as ndryshime në strukturat e votimit”, shkruan Rama dhe Vuçiç.
Sot një ligjvënëse malazeze nga partia kryesore në pushtet e kryeministrit Milojko Spajiç dhe një ligjvënës i opozitës në Shqipëri e kundërshtuan propozimin e Ramës dhe Vuçiçit.//Zhurnal.mk
