Shkup, 19 shkurt – Mungesa e autobusëve në kryeqytet po vazhdon të shkaktojë revoltë tek qytetarët, të cilët çdo ditë përballen me pritje nëpër stacione dhe vonesa të shpeshta në oraret e parashikuar.
Sipas qytetarëve, në disa linja autobusët qarkullojnë në mënyrë të rregullt por në orët e pikut shpesh janë të stërmbushur dhe e vështirë të gjendet vend siç duhet. Problemi është veçanërisht i theksuar në lagjet periferike, ku banorët thonë se ndonjëherë presin mbi 30 minuta për një autobus.
“Sa kohë që pret autobus? – Ka diku 20 minuta. – Për ku duhet të udhëtosh? -Për në Saraj. Si është gjendja ka apo nuk ka autobusë? Për në Saraj ka më shpesh por 9 dhe 19 janë më problematike pasi vonohen edhe deri mbi një orë”, tha një qytetar.
”Nuk ka autobusë jo, ja pres më shumë se një orë pritet. Gjithë ditën nuk ka autobusë. Cila është arsyeja çfarë thuan? Politika ynë është e tillë, politikanët të duan mund të rregullojnë gjithçka por jo”, u shpreh një tjetër qytetar.
“Ndonjëherë pritet e ndonjëherë jo, varet por shpesh shkoj me autobus”, tha një qytetare.
“Nuk e di por ato që shpesh udhëtojnë e dinë më mirë por e shoh që ankohen që nuk ka autobusë”, theksoi një qytetar.
Nga ndërmarrja publike e transportit deri më tani nuk ka një sqarim të detajuar për numrin aktual të autobusëve që janë në qarkullim edhe pse qytetarët kërkojnë transparencë dhe zgjidhje konkrete. Sipas informatave, Ndërmarrja e Qarkullimit Publik, momentalisht disponon me 341 autobusë. Nga ky numër i përgjithshëm, në qarkullim lëshohen vetëm 157 autobusë në të gjitha linjat urbane dhe periferike. /Alsat.mk
