Nga Arsim Sinani
Historia e shqiptarëve është një udhëtim i gjatë dhe shpesh i vështirë e me sfida. Për ta ilustruar këtë rrugëtim, po e përdor një metaforë të fuqishme: treni që ndalet në stacionet e kombit. Ai, treni, simbolizon proceset historike, shanset e kombit dhe momentet vendimtare kur shqiptarët duhet të jenë gati për të hipur dhe për të marrë drejtimin e tyre.
Një pikë kthese ishin demonstratat e vitit 1968, që thyen heshtjen e diskriminimit të shqiptarëve në Maqedoni dhe shënuan fillimin e një lëvizjeje më të vetëdijshme kombëtare. Në këtë kontekst, figura e Mehmet Riza Gegës, mësuesi që nuk hoqi dorë nga idetë e tij për flamur, komb e liri, merr një vend të veçantë. Ai tregoi se edhe një individ me vendosmëri dhe vizion mund të ndikojë në rrjedhën historike, duke shërbyer si udhërrëfyes për pjesëtarët e tjerë të komunitetit. Dhe Arbën Xhaferi pati shans të mësojë nga Gega edhepse dallimi mbetet te prakttika e Gegës në veprim dhe teoria e Xhaferit.
Arbën Xhaferi, ndërkohë, ishte një intelektual që kuptoi se, nëse nuk hipje në tren në kohën e duhur, mund të humbisje rastet që nuk kthehen më. Hyrja e tij në politikë nuk ishte produkt i një karriere të planifikuar; politika e zgjodhi atë si një thirrje e imponuar nga rrethanat historike. Ai iu përgjigj me vendosmëri dhe vizion, duke u bërë një udhëtar që jo vetëm hipi në tren, por edhe udhëhoqi pjesën e tij të lokomotivës nga Tetova drejt Shkupit, vendi ku duhej të ishin shqiptarët për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për të siguruar të drejtat e barabarta. Ishte atipik dhe shpesh merrte vendime që e shtyen para çështjen shqiptare, edhe atë në Maqedoni Veriore.
