Turizmi në Shqipëri po vijon të japë një ndikim të ndjeshëm në ekonominë kombëtare, duke tërhequr çdo vit një numër gjithnjë e më të madh vizitorësh të huaj.
Banka e Shqipërisë publikoi sot të dhëna që tregojnë se në 6-mujorin e parë të vitit 2025, turistët e huaj kanë shpenzuar rreth 2,1 miliardë euro në Shqipëri me një rritje prej 7,7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Shpenzimet e vizitorëve të huaj përbëjnë një kontribut të drejtpërdrejtë në rritjen e të ardhurave të ekonomisë shqiptare, duke përforcuar rëndësinë e turizmit si një nga sektorët strategjikë për zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas të dhënave të INSTAT, në gjysmën e parë të vitit 2025, Shqipëria ka pritur 4,7 milionë shtetas të huaj, një rritje prej rreth 5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Turistët kanë zgjedhur Shqipërinë jo vetëm për plazhet e bukura dhe klimën e favorshme, por edhe për zonat malore me peizazhe natyrore mbresëlënëse, qytetet e lashta me vlerë historike e kulturore si dhe mikpritjen dhe kuzhinën tradicionale.
Nga ana tjetër, edhe shqiptarët kanë rritur ndjeshëm shpenzimet për udhëtime jashtë vendit.
Sipas raportit “Bilanci i Pagesave” të Bankës së Shqipërisë, gjatë 6-mujorit të parë të 2025, ata kanë shpenzuar 1,3 miliardë euro për udhëtime, me një rritje vjetore prej 7,5%.
Ndërkohë bilanci i udhëtimeve mbetet pozitiv.
Diferenca mes të ardhurave nga turistët e huaj dhe shpenzimeve të shqiptarëve jashtë vendit i njohur si bilanci i udhëtimeve ishte pozitiv gjatë kësaj periudhe dhe arriti në 800 milionë euro, duke dëshmuar për fuqinë eksportuese të sektorit të turizmit shqiptar.
Sot turizmi është kthyer në aktivitet gjithëvjetor, jo vetëm që po gjeneron të ardhura të konsiderueshme për ekonominë, por gjithashtu po promovon Shqipërinë si një destinacion të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor.