Unifikimi i zërit studentor: Pas studentëve të “Nënë Terezës” edhe UEJL i bashkohet kërkesës për provimin e jurisprudencës në shqip

Nga D. V.
621 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 mars – Pas reagimit të Kuvendit Studentor në Universiteti “Nënë Tereza” lidhur me kërkesën për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, kësaj iniciative i është bashkuar zyrtarisht edhe Parlamenti Studentor i Universiteti i Evropës Juglindore.

Gjatë një takimi të zhvilluar mes kryesive të të dy parlamenteve studentore, kryetari i Parlamentit Studentor në UEJL, Besjan Rexhepi, ka shprehur përkrahje të parezervë për këtë iniciativë, duke e cilësuar atë si legjitime dhe të bazuar në të drejta të garantuara me ligj. Ai ka konfirmuar se UEJL do t’i bashkohet plotësisht mobilizimit të studentëve për protestën e paralajmëruar, si dhe nismave të tjera të përbashkëta që synojnë realizimin e kësaj kërkese.

Sipas përfaqësuesve studentorë, ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm drejt unifikimit të zërit studentor në mbrojtje të së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe, e garantuar me ligj të posaçëm për përdorimin e gjuhëve.

“Ne nuk kërkojmë shërbim, kërkojmë atë që na takon”, theksohet në reagimin e përbashkët të dy parlamenteve studentore.

Studentët kanë paralajmëruar se në ditët në vijim do të bëhen publike detajet e protestës dhe hapat e mëtejmë institucionalë për realizimin e kërkesës së tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër