Vedat Muriqi ka folur pas fitores së thellë të Fenerbahçes, duke e cilësuar rezultatin 8-0 si një reagim të jashtëzakonshëm pas humbjes së pikëve në ndeshjen e kaluar.
Fenerbahce regjistroi një fitore të çmendur, aty ku padyshim vëmendja ishte te Muriqi, i cili realizoi katër gola për t’u vlerësuar me notën 10.0.
Pas ndeshjes, sulmuesi kosovar tha se skuadra ishte e vetëdijshme se duhej të reagonte dhe se në çdo stërvitje para ndeshjes kishte insistuar për një lojë me presion të lartë.
“Edhe para se të fillonte ndeshja, ne e kishim humbur tashmë derbin në shtëpi, pasi kishim lënë pikë ndaj Gaziantepit. Duhej të reagonim. Në çdo seancë stërvitore mendonim se duhej ta nisnim këtë ndeshje me presion të lartë”.
“E kaluam në avantazh herët në ndeshje dhe më pas golat erdhën njëri pas tjetrit. Ishte një reagim i jashtëzakonshëm. Ishte një rezultat historik, 8-0. E mbyllëm në mënyrën më të mirë të mundshme këtë periudhë para pushimit të kombëtareve”.
Muriqi foli edhe për golin, duke bërë shaka me bashkëlojtarin Kerem Akturkoglu, i cili pretendoi se e kishte prekur topin.
“Kerem tha ‘e preka’, por nuk e preku. Shënojeni golin për vëllain tim, s’ka problem”.
Kosovari foli edhe për kalendarin e ngjeshur të ndeshjeve dhe pushimet e kombëtareve, duke theksuar se ngarkesa e futbollistëve është e madhe.
“Pas pushimit të kombëtareve do të kemi një orar shumë të ngjeshur. Duam të marrim rezultate të mira dhe shpresojmë të jemi në krye të tabelës deri në pushimin e messezonit. Në njëfarë mënyre ishte mirë, sepse do ta përfundojmë sezonin me dy pushime të kombëtareve, ndërsa normalisht ishin tri”.
“Pas një kalendari kaq të ngjeshur të ndeshjeve, pushimet e kombëtareve… Futbollistët duan që kjo të rregullohet. Klubet e mëdha luajnë shumë ndeshje në kampionat, Evropë dhe kupë. Edhe shëndeti i njerëzve është i rëndësishëm. Ka ndeshje të kombëtareve çdo tri ditë. Këtë vit nuk ndodhi, por shpresoj që ta rregullojnë vitin e ardhshëm. Si futbollistë, po e kemi shumë të vështirë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Muriqi tani do të udhëtojë për Kosovë, ku do të zhvillojë katër përballje në Ligën e Kombeve, me Austrinë, Irlandën dhe Izraelin./

