Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot në Kuvend gjatë diskutimeve mbi ndryshimet ligjore në Shërbimin e Jashtëm të propozuara nga qeveria, se brenda këtij viti do të mbyllet grupkapitulli për linjëzimin e politikës së jashtme dhe sigurisë me Bashkimin Europian.
“Arritjet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare edhe në çështjet europiane nuk janë më për t’u certifikuar nga ju, i certifikon dikush tjetër”, iu drejtua Vengu deputetëve të opozitës.
“Brenda këtij viti do të mbyllim dhe grupkapitujt e parë, përfshirë dhe kryesisht në rrugën që ka të bëjë me linjëzimin e politikës së jashtme dhe sigurisë 100% dhe ka vite që Shqipëria jo vetëm linjëzohet, ne dërgojmë dhe trupa ushtarake në misionet e BE-së.”
Komisioni Europiani mendon që brenda këtij viti një grupkapitull që lidhet me politikën e jashtme dhe të sigurisë, patjetër Shqipëria meriton ta mbyllë, sepse i ka kapur ato standarde.
Duke folur për akuzat e opozitës për mburojë politike në rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, Vengu tha se, “ne çështje që kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë i adresojmë në gjykatë, në rrugë ligjore”.
