Shkup, 24 korrik, Zhurnal.mk – Zyra Rajonale për Evropën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se virusi i Nilit Perëndimor po përhapet në Evropë, ku janë regjistruar 25 zona të prekura në gjashtë shtete evropiane, transmeton Kolegium.mk.
Bëhet fjalë për një virus që transmetohet nga mushkonjat e infektuara dhe mund të shkaktojë komplikime në sistemin nervor qendror te njerëzit.
Sipas OBSH-së, deri më 22 korrik janë regjistruar 46 raste te njerëzit në Itali dhe 21 raste në Greqi.
Raste janë regjistruar edhe në Maqedoninë e Veriut, Rumani, Spanjë dhe Francë.
Në Itali, numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në Kremona (7 raste), ndërsa në Milano dhe Novara nga pesë raste. Në Greqi, numri më i madh i rasteve është shënuar në rajonin e Atikës Lindore (9 raste). Në Rumani është regjistruar një rast në Bukuresht, në Spanjë një rast në Alikante dhe dy në Sevilje, në Maqedoninë e Veriut dy raste, ndërsa në Francë një rast në rajonin e Pirenejve, thuhet në njoftimin e OBSH-së.
Duke pasur parasysh rritjen e numrit të rasteve në disa pjesë të kontinentit, në fillim të sezonit të transmetimit, OBSH për Evropën bën thirrje për forcimin e mbikëqyrjes së mushkonjave dhe intensifikimin e aktiviteteve për ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi masat mbrojtëse.
OBSH paralajmëron se për shumicën e njerëzve rreziku nga virusi i Nilit Perëndimor mbetet i ulët, por kushdo që jeton ose udhëton në zonat e prekura duhet të marrë masa themelore për të shmangur pickimet e mushkonjave.
Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, theksoi se virusi nuk është një kërcënim i ri, por kushtet për përhapjen e tij po ndryshojnë.
“Temperaturat e larta dhe verat më të gjata u japin mushkonjave më shumë kohë dhe hapësirë për ta përhapur virusin. Shumica e infeksioneve janë të lehta, por rreth një në 150 persona të infektuar zhvillon një formë të rëndë të sëmundjes që prek sistemin nervor qendror dhe mund të jetë fatale. Masa të thjeshta parandaluese, si veshja e rrobave që mbulojnë trupin, përdorimi i repelentëve kundër insekteve dhe eliminimi i ujërave të ndenjura rreth shtëpisë, mund të bëjnë dallimin. Kushdo që zhvillon temperaturë të lartë, skuqje në lëkurë ose ngurtësim të qafës pas pickimit nga mushkonja duhet të kërkojë menjëherë ndihmë mjekësore”, tha Kluge.
Rreth 70 deri në 80 për qind e personave të infektuar me virusin e Nilit Perëndimor nuk zhvillojnë simptoma. Megjithatë, ata që shfaqin simptoma mund të kenë ethe, dhimbje koke, lodhje, dhimbje trupore, të përziera ose të vjella, e ndonjëherë edhe skuqje në lëkurë ose nyje limfatike të enjtura.
Forma e rëndë e sëmundjes mund të shkaktojë temperaturë të lartë, ngurtësim të qafës, çorientim, dridhje, konvulsione, dobësi muskulore, paralizë ose koma.
