Vitia: Gazetarja raportoi pa verifikuar lajmin për vdekjen e pacientes me kancer

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 22 tetor, Zhurnal.mk – Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka akuzuar një gazetare dhe mediumin ku ajo raporton se publikuan pa verifikim lajmin se një paciente me kancer kishte vdekur si pasojë e mungesës së barnave.

Duke iu përgjigjur kritikave të deputetes së LDK-së, Janina Ymeri, në Kuvend, Vitia ka thënë se shkaku i vdekjes nuk mund të përcaktohet pa procedura mjekësore dhe ka kritikuar raportimin për këtë rast.

Vitia ka shprehur ngushëllime për familjarët e pacientes së ndjerë, ndërsa ka thënë se pas publikimit të njoftimit nga një shoqatë, Klinika e Onkologjisë është përpjekur të kontaktojë me të për të marrë informacione për rastin.

“Më lejoni më së pari të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjarët dhe rrethin e së ndjerës, të dashur qytetarë, po ashtu më lejoni që në pika të shkurtra të tregoj se çfarë ndodhi mbrapa: një shoqatë e bën një status ku thotë që një paciente ka vdekur për shkak të mungesës së barnave. Klinika e onkologjisë bën përpjekje që të kontaktojë me këtë shoqatë, fillimisht e pamundur, pastaj një gazetare pa bërë asnjë verifikim të lajmit, kaq për konfirmime të shumta, pa bërë asnjë konfirmim të lajmit, as edhe ne paraqet menjëherë, bile edhe në lajmet qendrore të një mediumi. Paramendojeni të nderuar qytetarë, të dashur deputetë, për shkakun e vdekjes nevojitet autopsia dhe shumë procedura tjera për të qenë i qartë”, tha ai.

Ministri ka theksuar se, sipas tij, shkaku i vdekjes nuk mund të konstatohet pa një proces të duhur mjekësor, duke pretenduar se raportimi është bërë pa kontaktuar paraprakisht as shoqatën dhe as institucionet shëndetësore.

“Nuk mundet as mjeku me konstatu shkakun e vdekjes në raste të tilla. Duhet një sërë procedurash për të dalë me konstatime, kurse gazetarja është i shihet jo vetëm gazetarja, por edhe të tjerë, dalin dhe këtë konstatim e bëjnë nga një status të cili ka qenë në Facebook. Pra, të jem i qartë edhe një herë, gazetarja nuk ka ndjekur asnjë procedurë të verifikimit të lajmit me shoqatën e as pyetje, domethënë as me shoqatën, pa as pyetje të tyre për institucionet. Si duket, ose e priret për më shumë klikime për të bërë lajm, ose ndoshta edhe është shtyer, nga dikush tjetër, që jam i sigurt që nuk do ta kishte bërë vetë lajm pa e verifikuar paraprakisht lajmin, qoftë me shoqatën, qoftë me institucionet, siç e pamë edhe sot, edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për të qenë më keq, që folësja paraprake realisht ka dhe familjarë doktorë që i është dashur me ia tregu si përcaktohet shkaku i vdekjes”, tha ai.

Vitia ka thënë se drejtori i Klinikës së Onkologjisë ka mbledhur informacionet për rastin dhe ka dalë me një reagim publik për të sqaruar situatën. Ai ka kritikuar mediumin që, sipas tij, nuk e ka publikuar reagimin institucional.

“Në ndërkohë, qytetarë të nderuar, drejtori i Klinikës Onkologjike i merr të gjitha informacionet dhe del me një reagim publik ku shpjegon të gjithë situatën. Dhe për çudi, për çudi, të gjitha mediat që e kanë shpërndarë paraprakisht lajmin e pasaktë e tendencioz që e ka bërë një gazetare, e qesin e publikojnë reagimin institucional, përveç gazetares edhe mediumit që e ka plasuar”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër