Uashington, 29 korrik Zhurnal.mk – Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të dërguarit e posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump, mund të udhëtojnë për herë të parë drejt Kievit, si pjesë e një nisme për t’i dhënë shtysë të re diplomacisë që synon përfundimin e luftës në Ukrainë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi në një intervistë për Axios se dy zyrtarët mund të mbërrijnë në kryeqytetin ukrainas brenda dy javëve të ardhshme. Sipas tij, mundësia e vizitës është një prej rezultateve konkrete të takimit të fundit që zhvilloi me presidentin amerikan.
Financial Times, duke iu referuar burimeve në dijeni të bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, raportoi se një udhëtim i tillë u diskutua gjatë takimit ndërmjet Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Për autoritetet në Kiev, ardhja e Witkoff dhe Kushner konsiderohet një rast për të thelluar raportet me administratën amerikane, si edhe për të siguruar mbështetje të re ushtarake nga Shtetet e Bashkuara gjatë mandatit të dytë të Trump.
Nëse udhëtimi konfirmohet, kjo do të shënojë vizitën e parë të dy të dërguarve amerikanë në Ukrainë, pasi më herët ata kanë kryer disa udhëtime në Rusi.
Zelensky tha se gjatë takimeve synon të trajtojë mundësinë e rikthimit të negociatave të paqes me Rusinë. Gjithashtu, ai dëshiron që Witkoff dhe Kushner të njihen drejtpërdrejt me realitetin në terren dhe dëmet e shkaktuara nga lufta.
Sipas kreut të shtetit ukrainas, të dy të dërguarit përkrahin vendosjen e një armëpushimi që do të hapte rrugën për një proces diplomatik. Megjithatë, Zelensky shprehu dyshime se presidenti rus Vladimir Putin do të pajtohej me ndërprerjen e luftimeve.
Megjithë skepticizmin e tij, presidenti ukrainas nënvizoi sërish se Ukraina është e gatshme të rikthehet në tryezën e bisedimeve me Rusinë, me objektivin për t’i dhënë fund konfliktit që vijon prej më shumë se katër vitesh.
