Zejnulla Gashi emërohet Kryeprokuror i Shtetit në Kosovë

Nga Xh M
966 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 14 korrik Zhurnal.mk – Zejnulla Gashi është emëruar të martën në postin e Kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës, pasi ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, nënshkroi dekretin për emërimin e tij në krye të sistemit prokurorial.

Emërimi i Gashit i jep fund periudhës gati katërvjeçare gjatë së cilës Kosova ka funksionuar pa një kryeprokuror me mandat të plotë.

Haxhiu e priti Gashin në takim dhe i dorëzoi dekretin e emërimit, pas propozimit të bërë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i cili zhvilloi një proces përzgjedhjeje disa mujor. Ky proces ishte kundërshtuar nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj.

Isufaj ka paraqitur ankesë në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se KPK-ja nuk kishte bazë ligjore për hapjen e një konkursi të ri për këtë pozitë, pasi sipas tij ishte ende në fuqi vendimi i vitit 2023 për propozimin e tij si Kryeprokuror i Shtetit.

Duke shpjeguar vendimin për dekretimin e Gashit, Haxhiu tha se kishte shqyrtuar me kujdes dokumentacionin e paraqitur, informacionet nga institucionet kompetente të sigurisë dhe raportet e organizatave që kishin monitoruar procesin e përzgjedhjes.

“Marrë parasysh rëndësinë e këtij funksioni dhe nevojën për funksionalizimin e plotë të institucioneve të drejtësisë, kam vepruar në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore”, deklaroi Haxhiu.

Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës njoftoi se me nënshkrimin e dekretit është përmbyllur procedura kushtetuese dhe ligjore për emërimin e Gashit në krye të sistemit prokurorial.

Zejnulla Gashi do ta ushtrojë detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit për një mandat shtatëvjeçar.

Kosova ka mbetur pa një kryeprokuror me mandat të plotë që prej përfundimit të mandatit të Aleksandër Lumezit në vitin 2022. Gjatë kësaj periudhe, detyrën e kryeprokurorit e kanë ushtruar përkohësisht Besim Kelmendi dhe Agron Qalaj.

Procesi i mëparshëm i përzgjedhjes së Blerim Isufajt në vitin 2023 ishte kundërshtuar edhe nga organizata ndërkombëtare, të cilat kishin ngritur shqetësime për mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe kishin kërkuar rishikimin e saj.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër