“Zhurnal.mk” apelon sërish: STOP fyerjeve dhe gjuhës së urrjetjes! Jeta është e shtrenjtë për të gjithë!

nga admin

Shkup, 29 shtator – Fushata zgjedhore është hapur me retorika të fuqishme si asnjëherë më parë. Që në ditën e parë në mitingjet partiake janë shprehur sulme me fjalë më të ashpërta ndaj oponentëve politk dhe kjo dukuri nuk është aspak e mirë, sepse s’dihet ku do të na çojë deri në fundin e këtyre zgjedhjeve, shkruan “Zhurnal.mk”.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, mbrëmë iu drejtua kryeministrit Mickoski duke i thënë se me “zagarë shkohet në gjueti për lepuj, por jo edhe për shqiponja”, por menjëherë ka ardhur reagimi nga VLEN, ku këtë gjuhë të Ahmetit e konsiderojën si humbje e delegjitimimit. “Në momentin që i quajte ‘zagarë’ të gjithë ata shqiptarë e shqiptare që nuk mendojnë si ti, e ke përfunduar karrierën politike. Sonte e ke vulosur delegjitimimin”, i replikoi Izet Mexhiti kryetarit Ahmeti. Edhe Mickoski tha se BDI janë zogj dhe jo shqiponja.

Kjo gjuhë kaq e ulët dhe fyerje ishte frika më e madhe që do të përdorej në këto zgjedhje. “Zhurnal.mk” disa herë ka shkruar se në këto zgjedhje duhet të ketë përmbajtje dhe jo fyerje, sepse situata është shumë e nxehtë te votueist shqiptarë. “Zhurnal.mk” disa herë ka bërë apel që mos të ketë gjuhë të urrejtjes, por ja që e njëjta ndodhi mbrëmë në hapje të kësaj fushate zgjedhore.

Kjo gjuhë e përdorur vetëm se i ka hedh “benzinë zjarrit” që po digjet brenda shqiptarëve se kush është legjitim dhe kush ka të drejtën t’i përfaqësojë shqiptarët në qeveri.

“Zhurnal.mk” e ka përsëritur disa herë se nuk guxon të përsëriten rastet e dhunës nëpër zgjedhje që kishin ndodhur pas vitit 2001 por edhe siç ishte vrasja në Kondovë gjatë ditës së zgjedhjeve në vitin 1998. Nuk ia vlen që dikush të humb një anëtar të familjes, ose të hyjnë në hasmëri për interesat e politikanëve dhe të partive politke, të cilat deri më tani kanë dëshmuar se midis veti lidhen dhe funksionojnë vetëm për interes.

Fushata zgjedhore ka filluar dhe zgjat deri në mesnatë më 17 tetor, ndërsa votimi është planifikuar për 19 tetor. Në zgjedhje marrin pjesë 309 kandidatë për kryetar bashkie dhe 576 lista për këshilltarë. 1,8 milionë qytetarë kanë të drejtë vote, nga të cilët 1,7 milionë mund të votojnë në Maqedoni.

Procedurat në ditën e zgjedhjeve do të mbeten të njëjtë, me një listë votuesish dhe identifikim biometrik me gjurmë gishtashç në komuna do të ketë dy fletëvotime (këshilli dhe kryetari i bashkisë), dhe në komunat e qytetit të Shkupit katër (dhe për Qytetin e Shkupit).

Është në interesin e të gjithëve që fushata zgjedhore lokale të zhvillohet në një atmosferë të drejtë dhe demokratike, me respekt për kundërshtarin dhe rregullat jashtë Kodit Zgjedhor dhe institucioneve të tjera kompetente që kontrollojnë procesin dhe shpenzimet e fushatës.

Është normale që retorika të intensifikohet, por se ajo duhet të mbetet brenda kufijve të pranueshëm në mënyrë që të lërë një përshtypje pozitive në të gjithë procesin zgjedhor.

Mesazhi për pjesëmarrësit në fushatë mbetet i qartë: një betejë e ashpër politike lejohet, por respektimi i ligjit dhe standardeve demokratike është një kusht për ruajtjen e besueshmërisë së zgjedhjeve.

Prandaj apeli i sërishëm që e bën “Zhurnal.mk” është që të qetësohen gjakrat, të ulet gjuha e urrejtjes, të mos ketë fyerje dhe të mundohen vetëm me argumente dhe me projekte të paraqesin më të mirën. Qytetarët duan projekte dhe dëshmi se kush do të punojë për të mirën e tyre dhe jo vetëm të dëgjojnë fjalë boshe e akuza të pabaza, shkruan “Zhurnal.mk”.

postime të lidhura

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy