Zjarri shkrumbon 26 mijë ha tokë, evakuohen 1 200 banorë

Nga D. V.
919 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Madrid, 20 korrik, Zhurnal.mk – Një zjarr i madh pyjor, që shpërtheu të enjten rreth 100 kilometra në veri të Madridit, vazhdon të përhapet me shpejtësi dhe deri tani ka djegur rreth 26 mijë hektarë tokë, ndërsa ka detyruar 1 200 banorë të largohen nga shtëpitë e tyre, bën të ditur sot shërbimet spanjolle të zjarrfikjes dhe parandalimit të zjarreve (Infocam), të cilat po vazhdojnë operacionet intensive për izolimin e flakëve.

Zjarri nisi pranë fshatit La Mierla, në provincën Guadalajara, në rajonin qendror të Castilla-La Mancha, por për shkak të temperaturave të larta, erërave dhe thatësirës, ai është përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe shumë të gjerë.

Gjatë orëve të fundit, flakët kanë përfshirë edhe pjesë të Parkut Natyror Sierra Norte, një zonë me vlera të mëdha natyrore dhe biodiversitet të pasur.

Autoritetet kanë mobilizuar dhjetëra ekipe zjarrfikësish, mjete tokësore dhe avionë për shuarjen e flakëve, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e jetës së banorëve dhe pengimi i përhapjes së mëtejshme të zjarrit drejt zonave të banuara.

Evakuimet janë kryer si masë parandaluese, ndërsa banorët janë strehuar në qendra të përkohshme.

Situata mbetet kritike edhe për shkak të parashikimeve meteorologjike.

Spanja pritet të goditet në ditët në vijim nga një valë e re e të nxehtit, me temperatura shumë të larta, të cilat rrisin ndjeshëm rrezikun e zjarreve të reja dhe e bëjnë më të vështirë kontrollin e vatrave ekzistuese.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër