ZKA-ja kishte konstatuar mangësi në efikasitetin e institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 27 tetor, Zhurnal.mk – Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, ka thënë se vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës nga ish-kunati i saj, është thirrje urgjente për reflektim e llogaridhënie institucionale.

Spanca ka thënë se kjo ngjarje e rëndë e rikthen vëmendjen te gjetjet e raportit të aludimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, sa i përket efektivitetit të institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Auditimi ishte bërë për periudhat 2020-2022.

“Raporti evidentoi mangësi në koordinimin ndërinstitucional, hetimin, monitorimin e urdhrave mbrojtës, përfshirjen e mbrojtësve të viktimave, regjistrimin e rasteve dhe mbështetjen sociale e ekonomike. Po ashtu, u evidentuan vonesa në trajtimin gjyqësor dhe mungesë programesh për trajtimin e kryerësve të dhunës. Shpesh rekomandimet e auditimit shihen vetëm si mangësi procedurale, por ato lidhen drejtpërdrejt me aftësinë e sistemit për identifikimin e rreziqeve, reagimin në kohë dhe mbrojtjen e personave që kërkojnë ndihmë”, ka shkruar Spanca.

Ajo ka thënë se rekomandimet e ZKA-së duhet të zbatohen me urgjencë, përgjegjësi e transparencë.

“Prandaj, rekomandimet duhet të zbatohen me urgjencë, përgjegjësi dhe transparencë, përmes: Vlerësimit sistematik dhe profesional të rrezikut në çdo rast të raportuar; Koordinimit efektiv ndërmjet Policisë, Prokurorisë, Gjykatave, Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave dhe Qendrave për Punë Sociale; Monitorimit të vazhdueshëm të urdhrave mbrojtës dhe reagimit të menjëhershëm ndaj shkeljeve ose rritjes së rrezikut; Trajtimit me prioritet të rasteve dhe shmangies së vonesave që mund të cenojnë sigurinë e viktimave; dhe Mbështetjes së vazhdueshme për viktimat, përfshirë strehimin, përkrahjen sociale e ekonomike dhe shërbimet e specializuara. Çdo raportim për dhunë duhet të merret seriozisht, çdo paralajmërim për rrezik duhet të vlerësohet dhe çdo masë mbrojtëse duhet të zbatohet e monitorohet”, ka shkruar Spanca.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër