Zubimendi thyen heshtjen për të ardhmen te Arsenali, reagon për interesimin e Atleticos dhe minutat e pakta

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Mesfushori i Arsenalit, Martin Zubimendi, ka mohuar kategorikisht raportimet që e lidhin me një transferim të mundshëm te Atletico Madridi, duke bërë të qartë se nuk ka asnjë plan për t’u larguar nga klubi londinez.

Në një intervistë për mediumin spanjoll Marca, 27-vjeçari ka deklaruar se këto spekulime nuk kanë asnjë bazë dhe se aktualisht është i përqendruar te Arsenali, pavarësisht minutave të pakta që ka marrë këtë sezon.

“Absolutisht nuk ka asgjë të vërtetë dhe nuk jam afër asnjë marrëveshjeje. Kam lexuar gjithashtu se mund të jem pranë largimit, por është krejtësisht e kundërta”, deklaroi Zubimendi.

Mesfushori spanjoll pranoi se raportimet e tilla ndonjëherë e shqetësojnë, sidomos kur publikohen lajme që më pas nuk rezultojnë të vërteta.

“Shpesh publikohet një lajm dhe duket se, nëse nuk realizohet, gjithçka harrohet shumë shpejt dhe nuk ndodh asgjë. Kjo më pengon. Ndonjëherë më duhet të kontrolloj edhe Twitterin për të parë se çfarë është shkruar, në mënyrë që t’u përgjigjem njerëzve që më kontaktojnë”, u shpreh ai.

Zubimendi theksoi se është i lumtur në Londër dhe dëshiron të qëndrojë te Arsenali deri në fund të sezonit. Ai ka kontratë me klubin anglez deri në vitin 2030.

Megjithatë, sezoni aktual nuk ka qenë aspak i lehtë për të në aspektin e aktivizimit. Pas një edicioni të kaluar ku ishte një nga futbollistët më të angazhuar, këtë sezon ai ka regjistruar vetëm rreth 100 minuta në Ligën Premier.

Futbollisti e cilësoi këtë situatë si një përvojë të re, duke theksuar se ka mësuar të jetë më i durueshëm dhe beson se gjërat mund të ndryshojnë shpejt.

“Kam kuptuar se jam i durueshëm. Mendoj se gjithçka kalon. Ashtu siç vitin e kaluar ndodhi e kundërta dhe luajta pothuajse çdo ndeshje, edhe kjo situatë mund të ndryshojë shumë shpejt”, tha ai.

Ai pranoi gjithashtu se sezonin e kaluar kishte ndier lodhje fizike për shkak të numrit të madh të minutave të luajtura. I pyetur nëse kishte menduar të kërkonte ndihmë psikologjike për ta përballuar situatën aktuale, Zubimendi u përgjigj se e kishte shqyrtuar këtë mundësi, por ende nuk kishte ndërmarrë një hap të tillë.

Mesfushori tregoi se trajneri Mikel Arteta ua kishte shpjeguar që në fillim të sezonit se konkurrenca në skuadër do të ishte e madhe, pasi priteshin përforcime të reja dhe do të kishte minuta për të gjithë futbollistët.

Pavarësisht vështirësive për të siguruar një vend në formacion, Zubimendi e vlerësoi lart skuadrën londineze, duke e cilësuar Arsenalin si një nga pesë ekipet më të mira në Evropë.

Në fund, ai foli edhe për përvojën me Kombëtaren e Spanjës, duke kujtuar rrugëtimin në Kupën e Botës. Zubimendi kishte hyrë në turne pa asnjë minutë të zhvilluar, por më pas përfundoi duke luajtur edhe në finalen e madhe.

Ai ishte në fushë gjatë aksioneve që përfunduan me golat e Mikel Oyarzabalit dhe Ferran Torresit, duke e cilësuar atë përvojë si të jashtëzakonshme.

“Fakti që isha në fushë gjatë atyre momenteve kaq të rëndësishme dhe që munda t’i festoja nga brenda ishte diçka e mrekullueshme. Gjithashtu, më ndihmoi ta largoja pak atë peng që kisha”, deklaroi ai.

Zubimendi foli me superlativa edhe për bashkëlojtarin e tij në përfaqësuese, Rodrin, duke e cilësuar si një bekim faktin që ka ndarë dhomat e zhveshjes me të.

“Një pjesë të titujve që kam fituar ia detyroj edhe atij”, përfundoi mesfushori, i cili tashmë është i fokusuar në ndeshjen e ardhshme të Spanjës ndaj Republikës së Çekisë.

artikuj të ndërlidhura