13 viktima pas një sulmi rus me dron pranë Dnipros

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Kiev, 29 tetor, Zhurnal.mk – Të paktën 13 persona janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur sot, gjatë një sulmi me dron rus pranë një treni të ndaluar në platformën e stacionit hekurudhor të Dnipros, një qytet i madh në pjesën juglindore të Ukrainës, njoftuan autoritetet.

“13 persona kanë humbur jetën dhe të paktën pesë të tjerë janë plagosur”, njoftoi në platformën Telegram guvernatori i rajonit, Oleksandr Ganzha.

Një dron rus me motor reaktiv goditi platformën ku ndodhej një tren që lidhte Dnipron me Zaporizhian, qendër rajonale në jug të vendit, bëri të ditur kompania shtetërore hekurudhore ukrainase ”Ukrzaliznytsia”.

Pavarësisht alarmit për sulm ajror, në platformë ndodheshin njerëz, sqaroi kompania në një komunikatë.

Në pamjet që qarkulluan në rrjetet sociale, shiheshin trupa të pajetë të shpërndarë në platformën e stacionit, si dhe efektivë policie të gjunjëzuar pranë tyre.

Rusia ka shënjestruar trenat dhe stacionet hekurudhore në të gjithë Ukrainën që nga dita e parë e pushtimit në shkallë të gjerë, të nisur më 24 shkurt 2022, duke shkatërruar qindra lokomotiva dhe duke vrarë punonjës hekurudhorë dhe udhëtarë.

Përballë shtimit të sulmeve me dronë rusë, këtë vit kompanitë hekurudhore kanë nisur evakuime masive të pasagjerëve, përfshirë edhe nga trenat në lëvizje.

”Vetëm gjatë muajit shtator, më shumë se 5 800 trena u detyruan të evakuoheshin për shkak të kërcënimeve për sulme”, deklaroi ”Ukrzaliznytsia” në fillim të tetorit.

Evakuimet kryhen kryesisht në rajonet pranë vijës së frontit, në jug dhe në lindje të vendit, si Odesa, Dnipropetrovski dhe Zaporizhia.

Kur zbulohet një kërcënim për sulm rus, treni ndalon dhe pasagjerët duhet të zbresin nga vagonët dhe të presin në një distancë të sigurt deri në përfundimin e rrezikut.

Që nga mbyllja e transportit ajror për shkak të luftës, rrjeti i gjerë hekurudhor i Ukrainës është bërë thelbësor për transportin e njerëzve dhe mallrave brenda vendit, si dhe për udhëtimet drejt Ukrainës dhe largimin prej saj.

artikuj të ndërlidhura