2.1 milionë euro grante për aftësimin profesional të mbi 700 të rinjve në Kosovë

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 27 tetor Zhurnal.mk – Pesë ofrues të arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë do të përfitojnë grante në vlerë prej rreth 2.1 milionë eurosh për trajnimin e mbi 700 të rinjve, në bashkëpunim me kompanitë vendore.

Projektet fituese u shpallën në kuadër të thirrjes së katërt të Fondit Rajonal të Sfidave (RCF), i mbështetur nga Gjermania dhe Zvicra, i cili synon të përafrojë arsimin profesional me nevojat e tregut të punës.

Grantet do të investohen në pajisje, infrastrukturë dhe programe trajnimi në fushat e sigurisë kibernetike, teknologjisë cloud, analizës së të dhënave me inteligjencë artificiale, zhvillimit të softuerit, teknologjisë së qumështit dhe trajnerisë sportive.

Koordinatori Rajonal i RCF-së, Renato Vasili, deklaroi se pas katër thirrjeve, në Kosovë janë mbështetur 21 projekte me investime prej afro 9.8 milionë eurosh. Në këto projekte janë përfshirë 73 kompani partnere, të cilat në bashkëpunim me institucionet e aftësimit profesional kanë hartuar 28 programe trajnimi për rreth 3.000 nxënës dhe studentë.

Sipas tij, institucionet dhe partnerët e tyre kanë kontribuar edhe me 3.7 milionë euro nga burimet e veta, duke e çuar investimin e përgjithshëm në rreth 13.5 milionë euro.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, tha se arsimi profesional zë një vend të rëndësishëm në reformat arsimore dhe në hartimin e Strategjisë Shtetërore të Arsimit 2035. Ai theksoi se synimi është që të rinjtë të fitojnë shkathtësi të kërkuara nga tregu i punës dhe të kenë më shumë mundësi për punësim në Kosovë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, vlerësoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve arsimore dhe bizneseve ndihmon në përshtatjen e programeve të aftësimit me nevojat reale të ekonomisë.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, theksoi se investimet në arsimin profesional janë parakusht për rritje të qëndrueshme ekonomike. Ai tha se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të aftësimit dhe kompanive ndihmon në ngushtimin e hendekut mes shkathtësive të të rinjve dhe kërkesave të tregut të punës.

Ndërkaq, ambasadorja e Zvicrës, Anne Lise Cattin Hennin, nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së kompanive në aftësimin e gjeneratave të reja, duke theksuar se zhvillimi i shkathtësive është përgjegjësi e përbashkët e shtetit, institucioneve arsimore dhe bizneseve.

Së bashku me Fondin e Sfidave të Kosovës, Fondi Rajonal i Sfidave deri më tani ka mbështetur 33 projekte në Kosovë, me rreth 14.9 milionë euro grante.

artikuj të ndërlidhura