33 vjet nga tragjedia ajrore në Ohër: 116 viktima, shumica e udhëtarëve ishin shqiptar

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Ohër, 20 nëntor Zhurnal.mk – Sot, më 20 nëntor, shënohet 33-vjetori i një prej tragjedive më të rënda ajrore në historinë e Maqedonisë së Veriut. Më 20 nëntor të vitit 1993, një aeroplan i kompanisë ajrore “Avioimpex” u rrëzua në afërsi të aeroportit të Ohrit, duke shkaktuar vdekjen e 116 personave, mes të cilëve kishte edhe shumë shqiptarë nga Kosova.

Aeroplani i tipit Yakovlev Yak-42D po realizonte fluturimin nga Gjeneva e Zvicrës drejt Shkupit. Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike në kryeqytet, fluturimi ishte devijuar drejt aeroportit të Ohrit, ku gjatë përpjekjes për ulje ndodhi tragjedia.

Në bordin e aeroplanit ndodheshin 108 udhëtarë dhe tetë anëtarë të ekuipazhit. Nga aksidenti humbën jetën 115 persona, ndërsa udhëtari i vetëm që fillimisht kishte mbijetuar ndërroi jetë disa ditë më vonë si pasojë e plagëve të marra, duke e çuar numrin përfundimtar të viktimave në 116.

Një pjesë e konsiderueshme e udhëtarëve ishin shqiptarë nga Kosova, të cilët jetonin dhe punonin në Zvicër dhe po udhëtonin drejt vendlindjes për t’u bashkuar me familjarët e tyre.

Kjo tragjedi la pas dhimbje të thellë te familjet e viktimave dhe mbetet një nga ngjarjet më të rënda në historinë e aviacionit në vend.

Edhe pas 33 vjetësh, 20 Nëntori mbetet një datë e dhimbshme për familjarët dhe të afërmit e 116 personave që humbën jetën në këtë aksident tragjik.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër