35 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 nëntor, Zhurnal.mk – Në këtë ditë, 35 vjet më parë, më 17 nëntor 1991, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi Kushtetutën e parë të shtetit të pavarur maqedonas, me çka u vendosën themelet e rregullimit të tij kushtetues-juridik.

Akti më i lartë shtetëror u miratua në një periudhë ndryshimesh historike dhe shpërbërjeje të ish-federatës jugosllave, pas referendumit të 8 shtatorit 1991, në të cilin qytetarët u deklaruan për një shtet të pavarur dhe sovran.
Me Kushtetutën, Maqedonia u përcaktua si shtet sovran, i pavarur, demokratik dhe social, ndërsa u vendosën parimet themelore të demokracisë parlamentare, ndarjes së pushteteve dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe korniza institucionale e shtetit të pavarur.
Parimet e saj themelore lidhen me luftën shekullore të popullit maqedonas dhe me aspiratat historike për shtetësi, të mbështetura në traditat e Republikës së Krushevës dhe të ASNOM-it, si dhe me përpjekjet për rregullim demokratik dhe realizimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve.
Miratimit të Kushtetutës i parapriu Deklarata e Pavarësisë, e miratuar nga përbërja e parë shumëpartiake e Kuvendit më 25 janar 1991. Megjithatë, procesi i pavarësimit u shoqërua edhe me mospajtime politike. Një pjesë e komunitetit etnik shqiptar e bojkotoi referendumin, ndërsa deputetët shqiptarë nuk e mbështetën Kushtetutën e re.
Subjektiviteti juridik ndërkombëtar i shtetit u konfirmua më 8 prill 1993, kur Republika e Maqedonisë u pranua në Kombet e Bashkuara si anëtarja e 181-të me të drejta të plota. Për shkak të kundërshtimit të Greqisë ndaj emrit kushtetues të shtetit, pranimi u bë nën referencën e përkohshme “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë”.
Në vitet pas miratimit të saj, Kushtetuta pësoi disa ndryshime dhe plotësime, ndër të cilat më të rëndësishme ishin amendamentet e vitit 2001, pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si dhe ndryshimet e vitit 2019, me të cilat emri kushtetues i shtetit u ndryshua në Republika e Maqedonisë së Veriut.
Me rastin e 35-vjetorit të Kushtetutës së parë, sot në Kuvend do të mbahen një sërë panelesh diskutimi, ku do të debatohet për miratimin e aktit më të lartë juridik dhe pavarësimin e shtetit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër