Në një periudhë që përshkruhet si një moment kyç për Shqipërinë në kuadër të integrimit në BE, një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga Anke Weber, ka përfunduar një vizitë të rëndësishme në Tiranë për të zhvilluar diskutime mbi Konsultimin e Nenit IV për vitin 2025 me autoritetet shqiptare.
Në përfundim të vizitës, misioni publikoi një deklaratë për medie në të cilën theksohet se Shqipëria ndodhet në një pikë kthese, me qeverinë që po avancon reforma të guximshme për të siguruar anëtarësimin në BE deri në vitin 2030.
“Shqipëria gëzon një nga normat më të larta të rritjes në Evropë, inflacion të ulët, borxh publik në rënie dhe rezerva të forta valutore. Duke u mbështetur mbi këto themele, Shqipëria ndodhet në një pikë kthese, me qeverinë që po avancon reforma të guximshme për të siguruar anëtarësimin në BE deri në vitin 2030. Ndërsa perspektiva afatshkurtër mbetet e favorshme, rruga drejt anëtarësimit shoqërohet me sfida strukturore”, citohet deklarata.
Sipas Misionit, ekzistojnë boshllëqe të rëndësishme në reforma ndaj standardeve të BE-së mes produktivitetit në stanjacion, ndërkohë që një mjedis global më i paqëndrueshëm, i shoqëruar me presione të brendshme mbi pagat dhe çmimet e aseteve, paraqet rreziqe për qëndrueshmërinë e rritjes së drejtuar nga turizmi.
Sipas Misionit, rritja e udhëhequr nga turizmi dhe perspektiva makroekonomike e Shqipërisë pritet të mbeten të forta.
“Pas një rritje mesatare prej rreth 4,25% në periudhën pas pandemisë, PBB reale parashikohet të rritet me 3,5% në 2025, kryesisht e nxitur nga konsumi privat, dhe 3.6 % në 2026, duke reflektuar një përshpejtim modest të rritjes në partnerët kryesorë tregtarë të eurozonës”, citohet deklarata.
Misioni vlerëson se efektet e drejtpërdrejta nga tarifat e SHBA-së janë minimale, ndërsa efektet indirekte nga masat tregtare globale dhe pasiguria deri tani duken të kufizuara.
Pavarësisht një moderimi, thuhet më tej, turizmi vijon të ofrojë mbështetje të qëndrueshme për prodhimin ekonomik.
“Inflacioni parashikohet të rritet gradualisht nga 2,2% në 2025 në objektivin 3,2% në gjysmën e dytë të 2026, në kushtet e një tregu pune të ngushtë dhe pagave në rritje.
Deficiti i llogarisë korrente parashikohet në 2,8% të PBB-së në 2025 dhe të zgjerohet gradualisht në rreth 3,5% të PBB-së në afat të mesëm, teksa të ardhurat e disponueshme dhe shpenzimet kapitale publike rrisin importet”, theksohet në deklaratë.
Sipas Misionit, tensionet gjeopolitike, masat e përshkallëzuara tregtare, paqëndrueshmëria e çmimeve të lëndëve të para dhe pasiguria e zgjatur mund të prekin partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë dhe të dobësojnë kërkesën e jashtme.
Po ashtu theksohet se paqëndrueshmëria e tregjeve financiare globale dhe korrigjimet e çmimeve të aseteve mund të ulin kërkesën për borxhin sovran shqiptar dhe të rrisin rreziqet e rifinancimit.
“Brenda vendit, një rënie më e theksuar nga sa pritej në popullsinë në moshë pune mund të thellojë mungesat e fuqisë punëtore, të nxisë inflacionin, të diktojë një qëndrim më të shtrënguar të politikës monetare dhe të zbehë perspektivat e rritjes. Në anën pozitive, zbatimi i qëndrueshëm i agjendës së reformave të BE-së mund të nxisë produktivitetin dhe rritjen”, citohet deklarata.
Bazuar në politikat aktuale, stafi i FMN-së projekton një suficit të vogël primar në 2025 dhe 2026 dhe një balance primare zero më pas.
Rritjet e planifikuara të pensioneve mesatare përmes bonuseve mujore (p.sh., nga 270 euro në 400 euro për pensionet urbane) duke nisur nga 2026 do të financohen pjesërisht nga pritshmëritë për të ardhura shtesë të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave (SAA), kursime në shpenzimet korente dhe nën-ekzekutimi i shpenzimeve kapitale.
Borxhi publik projektohet të bjerë nga 54 % e PBB-së në fund të 2025 në rreth 50 % të PBB-së deri në 2030.
Ndërsa dinamika e borxhit është përmirësuar dukshëm vitet e fundit, nevojat ende relativisht të mëdha për financim bruto, mesatarisht 13% e PBB-së për periudhën 2025-2030, nënvizojnë rëndësinë e vazhdimit të reformave të menaxhimit të borxhit.
Si shumë vende të tjera evropiane, Misioni vë në dukje se Shqipëria përballet me presione shpenzimesh publike të cilat, nëse nuk adresohen tani, mund të rrezikojnë qëndrueshmërinë fiskale në afat të mesëm.
“Tendencat demografike pritet të rrisin shpenzimet për pensione dhe shëndetësi, veçanërisht pas vitit 2030, ndërsa angazhimi në NATO për të alokuar 5% te PBB-së për shpenzime mbrojtjeje dhe sigurie deri në 2035 do të ushtrojë presion shtesë mbi financat publike”, thuhet në deklaratë.
Për të forcuar qëndrueshmërinë dhe produktivitetin, Misioni nënvizon se do të nevojiten gjithashtu investime më të mëdha në arsim, trajnim dhe përshtatje ndaj klimës.
Për të adresuar këto sfida dhe ruajtur hapësirat fiskale, stafi rekomandon një paketë masash nxitëse për rritjen, të përqendruar te mobilizimi i qëndrueshëm i të ardhurave, reformat e politikave tatimore dhe përmirësimi i cilësisë së shpenzimeve publike.
“Për rrjedhojë, reformat në të ardhura duhet të fokusohen në racionalizimin e shpenzimeve tatimore, modernizimin e taksave mbi pronën dhe forcimin e administratës tatimore. Shpenzimet tatimore të kushtueshme dhe regresive, si pragjet e larta të përjashtimit nga TVSH-ja, incentivat sektoriale dhe regjimet preferenciale për të vetëpunësuarit, duhet të hiqen gradualisht pasi efektiviteti i tyre është i pasigurt”, citohet deklarata.
Po ashtu theksohet se vendosja e një takse mbi pronën, të bazuar mbi vlerën, dhe përshpejtimi i zbatimit te saj do të mbështesin financat vendore.
Sipas Misionit, marrëveshja e propozuar e ‘Paqes Fiskale’, me elemente të tilla si marrëveshje vullnetare për përcaktimin paraprak të fitimeve të tatueshme dhe pezullim të auditimeve gjatë periudhës së marrëveshjes, fshirje të detyrimeve tatimore e doganore dhe rivlerësim të pasqyrave financiare të së kaluarës me një normë të ulët të njëtrajtshme, rrezikon të minojë pajtueshmërinë tatimore, të dobësojë besueshmërinë e auditimeve dhe të përmbysë arritjet e deritanishme në modernizimin e administratës tatimore.
“Bonuset me bazë të gjerë për pensionet duhet të shmangen, pasi janë të vështira për t’u kthyer pas, dobësojnë lidhjen me kontributet dhe rrezikojnë qëndrueshmërinë fiskale. Në vend të tyre duhet të përdoren programet e asistencës sociale të targetuara mirë për të mbështetur grupet në nevojë”, thuhet në deklaratë.
Më tej, theksohet se monitorimi i rregullt i nënhuadhënies, PPP-ve dhe entiteteve jashtë bilancit mbetet kritik, së bashku me standarde më të forta të zbulimit dhe mirëqeverisjes për fondet publike dhe mjetet me qëllim të veçantë (SPV).
