Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, deklaroi të martën se i ka kërkuar ministrit të Jashtëm të ndjekë “negociata të drejta dhe të barabarta” me Shtetet e Bashkuara, në një kohë kur po përgatiten bisedime të nivelit të lartë për programin bërthamor iranian, të cilat pritet të zhvillohen në Stamboll më vonë gjatë kësaj jave.
Në një postim në platformën X, Pezeshkian tha se negociatat mund të zhvillohen vetëm nëse ekziston një mjedis i përshtatshëm, pa kërcënime dhe pritshmëri të paarsyeshme, dhe në përputhje me parimet e dinjitetit, maturisë dhe interesit kombëtar.
Deklarata vjen ndërsa SHBA-të kanë grumbulluar anije luftarake dhe avionë në rajon, përballë rritjes së tensioneve me Teheranin. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, la të kuptohet se bisedimet diplomatike mund të nisin së shpejti. Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani po zhvillon bisedime “serioze” me Uashingtonin, duke lënë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje për shmangien e një konflikti ushtarak.
Trump konfirmoi nga Shtëpia e Bardhë se bisedimet janë në vazhdim, duke paralajmëruar se dështimi i tyre mund të ketë pasoja të rënda. Ai tha se SHBA-të kanë dërguar forca të mëdha detare dhe ajrore në rajon.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, i dërguari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, dhe ministri iranian Araghchi pritet të takohen të premten në Stamboll, së bashku me përfaqësues të Katarit, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Egjiptit, për të diskutuar një marrëveshje të mundshme mbi programin bërthamor të Iranit.
Nëse zhvillohet, ky takim do të ishte kontakti i parë i drejtpërdrejtë mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë që nga prilli i kaluar, pas përshkallëzimit të tensioneve dhe përplasjes ushtarake të qershorit mes Iranit, Izraelit dhe SHBA-ve.
Ndërkohë, shqetësimet për një përshkallëzim më të gjerë rajonal mbeten të larta. Irani ka paralajmëruar se do të sulmojë Izraelin nëse SHBA-të ndërmarrin një goditje ushtarake, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli është i përgatitur “për çdo skenar”.

