Nga detyrimet në mosbesim, rruga e vështirë e Shkupit drejt BE‑së!

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 tetor, Zhurnal.mk – Takimi mes ministres së jashtme bullgare Velisllava Petrova Çamova me Timço Mucunski në Sofje riktheu në qendër të vëmendjes kushtet e dakorduara në vitin 2022 për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut. Bullgaria riafirmoi se nuk ka pritje të tjera përveç atyre të dakorduara, ndërsa dialogu mes dy vendeve mbetet i domosdoshëm pavarësisht dallimeve të theksuara. Por, nga ky takim vërehet se nëse procesi të ecë para është rikthyer katër vite pas, shkruan Zhurnal.

Obligimet e vitit 2022 dhe dialogu i vështirë

Bullgaria kërkon nga Shkupi përmbushjen e obligimeve të vitit 2022, duke përfshirë ndryshimet kushtetuese dhe elementët e tjerë të procesit të dakorduar. Petrova theksoi se besimi ndërtohet vetëm përmes respektimit të marrëveshjeve dhe shprehu pritje për hapa konkretë nga pala e Maqedonisë së Veriut. MPJ bullgare njoftoi se komunikimi i hapur do të vazhdojë për çështje me interes të përbashkët.

Nga ana tjetër, Timço Mucunski, ministër i Jashtëm i RMV-së pranoi se qëndrimet e dy vendeve mbeten larg njëra‑tjetrës, por insistoi se dialogu duhet të vazhdojë. Ai e cilësoi takimin konstruktiv dhe në frymë pozitive, duke theksuar se Bullgaria ka interes strategjik që Maqedonia e Veriut të përparojë në rrugën evropiane. Megjithatë, mosbesimi i akumuluar nga çështjet bilaterale mbetet pengesë e vazhdueshme.

Një nga temat e diskutuara ishte plani i veprimit për pakicat, për të cilin palët ranë dakord të vazhdojnë bisedimet. Mucunski theksoi se besimi ndërtohet përmes qëndrueshmërisë dhe se nuk është e përshtatshme të shpërndahen detaje të bisedave bilaterale që në fillim.

Rruga drejt BE dhe sfidat shtesë

Shefi i diplomacisë së RMV-së Mucunski theksoi se dëshira më e madhe e vendit është që rruga drejt BE të bazohet në merita, e jo të ngarkohet me histori dhe të kaluarën. Ai nënvizoi se Maqedonia e Veriut është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE, duke u dëshmuar si kandidat i denjë për anëtarësim.

Mucunski shtoi se zgjerimi është vendim politik i vendeve anëtare dhe se Shkupi do të vazhdojë të punojë me përgjegjësi dhe proaktivitet për gjetjen e zgjidhjeve. Megjithatë, ai paralajmëroi se zgjidhjet nuk varen ekskluzivisht nga pala e Maqedonisë së Veriut, duke lënë të hapur nevojën për vullnet politik nga të gjitha palët.

Petrova, nga ana e saj, vlerësoi se ka përparim në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, por theksoi se për sukses nevojitet vullnet politik i vazhdueshëm. Komisionerja evropiane për zgjerim Marta Kos shtoi se Korridori 8 është shembull i projektit evropian që mund të hapë derën për bashkëpunim më të gjerë.

Sqarojmë se, takimi në Sofje tregoi se pavarësisht dallimeve të theksuara, dialogu mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut mbetet i domosdoshëm. Përmbushja e obligimeve të vitit 2022 shihet si çelësi për ndërtimin e besimit dhe avancimin e procesit evropian, ndërsa rruga drejt BE do të varet nga kombinimi i meritave të Shkupit dhe vullnetit politik të vendeve anëtare. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër