SPAK kërkon 1 vit e 6 muaj burg për Bufin, kryebashkiaken e Roskovecit

nga D. V.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkoi sot nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për Majlinda Bufin, kryebashkiaken e Roskovecit, për akuzën e “përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

SPAK, për shkak të pranimit nga ana e të pandehurës të gjykimit të shkurtuar, nëse Gjykata do ta shpallë fajtore, Bufi do të dënohet me 1 vit burg, i cili mund t’i konvertohet në Shërbim Prove për 2 vjet.

Nga hetimet e SPAK rezultoi se kryetarja e Bashkisë Roskovec dyshohet se i ka kërkuar shtetasit G.B. të mos marrë pjesë në votimet e 14 majit 2023 dhe të mos përfshihet në veprimtari të forcave të tjera politike.

Rasti u bë publik më 6 maj 2023 përmes një regjistrimi audio të publikuar në media. Sipas transkriptit, biseda lidhet me faktin se personi në fjalë ishte përfitues i një programi social të bashkisë për përmirësimin e kushteve të banimit, megjithëse objekti për të cilin kërkohej mbështetje nuk ishte banesë ekzistuese dhe kishte mangësi dokumentare mbi pronësinë.

Hetimet treguan se, para takimit me kryetaren, punonjës të IMT-së kishin ndërhyrë në banesën e G.B., duke i kërkuar ndalimin e punimeve për ndërtim pa leje. Gjatë takimit në ambientet e bashkisë, Bufi i ka përmendur tejkalimin e ndihmës dhe komunikime të mëparshme ku G.B. shprehte mbështetje për kandidatin e opozitës.

Sipas akuzës, nën pretendimin se po e “shpëtonte” nga pasojat administrative, kryetarja i ka kërkuar këtij personi që deri në përfundim të zgjedhjeve të mos flasë publikisht dhe të mos shkojë të votojë. Kjo kërkesë, sipas hetimit, është bërë nën presion dhe kundër vullnetit të tij.

Pavarësisht kësaj, shtetasi G.B. ka ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e 14 majit 2023.

Gjithashtu, Partia Demokratike Roskovec ka depozituar një kallëzim tjetër penal në SPAK ndaj saj, duke e akuzuar për keqpërdorim të tenderave.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More