Shkup, 18 shkurt – Seanca parlamentare kushtuar pyetjeve të deputetëve të opozitës do të fillojë me vonesë prej një ore, përkatësisht në orën 12:35, pasi koordinatori i LSDM-së opozitare, Oliver Spasovski, reagoi ndaj mungesës së ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Spasovski theksoi se nuk është hera e parë që ministri Durmishi nuk merr pjesë në seancën për pyetje të deputetëve dhe se nëse ka detyrime, zëvendësi i tij duhet të marrë pjesë në seancë.
“Në letrën që ju dërgova, u njoftua se deputetja Jovana Trençevska duhet t’i bëjë pyetje ministrit Durmishi. Të njëjtin problem e kemi pas edhe më parë. Mendoj se një sjellje të tillë ndaj Kuvendit më së paku mund ta ketë Besar Durmishi. Mendoj se është koha që të respektohet instituti i pyetjeve të deputetëve dhe që ministrat të jenë këtu, dhe nëse nuk mund të vijnë, atëherë duhet të jenë zëvendësit e tyre. Nuk mund të parashtrojnë pyetje në ajër. Durmishi nuk është këtu, Marjani, zëvendësi i tij, nuk është këtu, çfarë kuptimi kanë pyetjet e deputetëve atëherë”, pyeti Spasovski.
Pas kësaj, kryetari i Kuvendit dha një pauzë prej një ore.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, së bashku me Ministren e Financave dhe Kryeministrin, po merr pjesë në konferencën vjetore “”Formalizimi i ekonomisë joformale: Përmes bashkëpunimit deri te suksesi”, e cila po mbahet në hotelin “Aleksandar Pallas” në Shkup.
