Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin A.M., anëtar i Këshillit Bashkiak të Lushnjës, i akuzuar për veprën penale të falsifikimit të formularëve, parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal.
Sipas organit të akuzës, hetimet mbi procedimin penal të regjistruar mbi bazën e materialit të përcjellë për kompetencë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) më 1 prill 2025, kanë provuar se i pandehuri ka paraqitur të dhëna të pasakta në Formularin e Vetëdeklarimit për zbatimin e ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Sipas prokurorisë, formulari është depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve më 23 mars 2023. Në të, A.M. ka deklaruar se nuk ka qenë ndaluar apo arrestuar nga organet ligjzbatuese dhe se ndaj tij nuk është caktuar asnjëherë masë shtrënguese e sigurisë personale.
Megjithatë, nga hetimet rezulton se këto deklarime nuk pasqyrojnë realitetin. Sipas dokumentacionit të administruar gjatë hetimit, shtetasi A.M. është ndaluar më 15 shkurt 2006 nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë, i dyshuar për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni” në rrethana rënduese, parashikuar nga Kodi Penal.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 19 shkurt 2006, ka vlerësuar të ligjshëm ndalimin dhe ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit “Arrest në burg”, sipas nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale. Sipas prokurorisë, ai ka qëndruar në paraburgim për rreth pesë muaj.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Fierit ka dërguar çështjen për gjykim, duke akuzuar shtetasin A.M. për deklarim të rremë në formularin e vetëdeklarimit.
