Shkup, 26 tetor, Zhurnal.mk – Vala e protestave që ka përfshirë Evropën ka sjellë një përshkallëzim të paprecedentë të dhunës dhe mobilizimit popullor. Qytetarët në Francë, Shqipëri dhe Itali po mbushin rrugët masivisht, të nxitur nga një kombinim i krizës së kostos së jetesës, problemeve të thella në sistemet arsimore dhe pakënaqësive të mëdha politike. Bashkë me zgjedhjet në Serbi dhe Bullgari, këto trazira sigurisht se kanë impkatin e tyre edhe në ekonominë dhe jetën e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Populli thotë, “Çfarë ndodhë në fqinjësi, prite në shpi”, prandaj nëse kjo valë e trazirave zgjerojet në Evropë, mund të përfshihet edhe vendi ynë ku punëtorët kërkojnë rroga më të larta, shkruan “Zhurnal.mk”.
Protesta të dhunshme në Francë, Itali e Shqipëri…
Në Francë, lëvizja që nisi fillimisht në shtator nga nxënësit e shkollave të mesme është shndërruar tashmë në një revoltë mbarëkombëtare të mbështetur fuqishëm nga sindikatat kryesore. Protestuesit denoncojnë me forcë rritjen e pandalshme të kostos së jetesës, qiratë e larta, çmimet e karburanteve dhe pabarazinë sociale. Megjithatë, pika kryesore e revoltës mbetet sektori i arsimit. Sindikatat dhe studentët kundërshtojnë shkurtimet buxhetore që kanë sjellë përkeqësim të kushteve në shkolla dhe mungesë të tmerrshme të stafit mësimor.
Ministria e Brendshme raportoi për të paktën 410,000 protestues në mbarë vendin, nga të cilët 110,000 vetëm në Paris, ndërsa sindikata CGT pretendon se numri real është i dyfishtë, apo rreth 800,000 protestues.
Në Itali, pas përleshjeve të përgjakshme dhe plaçkitjeve të javës së kaluar në Milano, qeveria e krahut të djathtë të Giorgia Melonit mori masa drastike të sigurisë për këtë fundjavë. Mijëra të rinj, studentë dhe punëtorë dolën në rrugët e të paktën tetë qyteteve italiane (përfshirë Romën, Milanon, Torinon, Firencen dhe Bolonjën). Ata protestojnë kundër politikave ekonomike të qeverisë Meloni, pagave të ulëta, rritjes së çmimeve, shkurtimit të pensioneve dhe rritjes së shpenzimeve ushtarake në dëm të mirëqenies sociale.
Në Shqipëri, lëvizja protestuese ka hyrë në javën e saj të dytë rresht, duke u kthyer në sfidën më të madhe të viteve të fundit për qeverinë e kryeministrit Edi Rama. Ajo që nisi si një protestë studentore për uljen e tarifave të shkollimit dhe rritjen e financimit për universitetet, u zgjerua shpejt në një kauzë kombëtare antikorrupsion. Qytetarët po protestojnë kundër skandaleve qeveritare, rritjes së çmimeve që po varfëron shtresën e mesme dhe mungesës së perspektivës që po detyron të rinjtë të largohen masivisht nga vendi. Pakënaqësia u rrit gjithashtu pas mbështetjes qeveritare për projekte luksoze bregdetare të lidhura me investitorë të huaj, si ajo për Jared Kushner.
Protesta u bë e dhunshme kur pjesëmarrësit nisën të qëllonin me gurë dhe hodhën fishekzjarre e molotovë ndaj institucioneve, ndërsa policia përdori masivisht gaz lotsjellës, topa uji dhe plumba gome për të shpërndarë turmat.
Rëndësia e zgjedhjeve në Serbi e Bullgari!
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi dhe ato presidenciale në Bullgari, të mbajtura më 25 tetor 2026, përkojnë me një moment kritik tranzicioni dhe paqëndrueshmërie në rajonin e Ballkanit.
Zgjedhjet parlamentare në Serbi ishin të parakohshme. Ato erdhën si pasojë e një krize të thellë politike dhe sociale që ka përfshirë vendin. Prej muajsh, Serbia është tronditur nga protesta masive të udhëhequra nga studentët dhe lëvizjet qytetare, të cilët kërkojnë çrrënjosjen e korrupsionit, lirinë e medias dhe fundin e asaj që e quajnë “autokraci” e Aleksandër Vuçiçit.
Këto zgjedhje konsiderohen historike dhe jetike për të ardhmen e Serbisë. Për herë të parë në një dekadë, lëvizja studentore, e udhëhequr në zgjedhje nga mjeku Ilija Srdanoviç ka krijuar një sfidë reale për Vuçiçin. Rezultati do të përcaktojë nëse Serbia do të shkëputet nga ndikimi i fortë i Rusisë dhe Kinës për t’u përafruar sinqerisht me Bashkimin Evropian, apo do të vazhdojë politikën e “uljes në dy karrige”. Ndryshimi i mundshëm i pushtetit në Beograd ka ndikim të drejtpërdrejtë në dialogun me Kosovën dhe në stabilitetin e Bosnjës e Malit të Zi.
Zgjedhjet në Bullgari janë të rregullta dhe periodike, të programuara për shkak të përfundimit të mandatit kushtetues të presidentit aktual. Megjithatë, ato zhvillohen në sfondin e një ngërçi të zgjatur politik në vend, ku Bullgaria ka kaluar përmes shtatë pale zgjedhjesh parlamentare në vitet e fundit për shkak të pamundësisë së partive për të krijuar qeveri të qëndrueshme. Ndonëse Bullgaria është një republikë parlamentare ku pushteti ekzekutiv i takon Kryeministrit, roli i Presidentit është jashtëzakonisht i rëndësishëm në kohë krizash. Gara mes kandidatëve reflekton ndarjen e thellë të shoqërisë bullgare. Një fitore e krahut nacionalist pro-rus do të lëkundte pozicionin e Bullgarisë brenda NATO-s dhe BE-së, veçanërisht sa i përket mbështetjes për Ukrainën.
Çfarë ndikimi kanë këto trazira në ekononinë e Maqedonisë së Veriut!
Trazirat sociale në Francë, Itali dhe Shqipëri, së bashku me paqëndrueshmërinë politike nga zgjedhjet në Serbi dhe Bullgari, kanë një ndikim të dyfishtë ekonomiko-financiar, sepse ato dëmtojnë rritjen afatshkurtër të vendeve ku po ndodhin dhe krijojnë pasiguri tregtare për ekonomitë fqinje si ajo e Maqedonisë së Veriut.
Sipas studimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMR), trazirat që kombinojnë pakënaqësitë politike me ato socio-ekonomikem, si kostoja e jetesës, priren të shkaktojnë tkurrjet më të ashpra të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) brenda gjashtë tremujorëve pasues.
Franca tashmë po përballet me presion të madh për shkak të një deficiti buxhetor prej 5.1% dhe borxhi publik prej 115.6% të PBB-së. Protestat e dhunshme detyrojnë qeveritë të shpenzojnë më shumë për sigurinë publike dhe riparimin e dëmeve, duke pasur më pak hapësirë për reforma ekonomike. Në Itali, përdorimi i ushtrisë në qytete si Milano dëmton imazhin turistik dhe urën e investimeve të huaja.
Përleshjet në Tiranë rrisin perceptimin e rrezikut për investitorët e huaj, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe projekteve bregdetare. Gjithashtu, paqëndrueshmëria ushqen largimin e të rinjve, gjë që sjell mungesë afatgjatë të krahut të kualifikuar të punës.
Zgjedhjet e parakohshme po testojnë modelin ekonomik të Serbisë, i cili ka qenë i varur nga balancimi mes tregut të BE-së, kapitaleve kineze dhe energjisë ruse. Pasiguria rreth formimit të qeverisë së re dhe protestat e vazhdueshme mund të ngadalësojnë projektet e mëdha infrastrukturore dhe rritjen e parashikuar të PBB-së prej 3.3%.
Maqedonia e Veriut ka një ekonomi jashtëzakonisht të hapur dhe të varur nga tregtia e jashtme, duke e bërë atë shumë të ndjeshme ndaj asaj që ndodh tek fqinjët. Aktualisht, FMN-ja ka parashikuar një rritje ekonomike prej 3.5% për vendin në vitin 2026, por kjo rritje varet direkt nga stabiliteti rajonal.
Edhe pse inflacioni në Evropë ka rënë, paqëndrueshmëria në Serbi dhe Bullgari, dy partnerë kryesorë tregtarë të Maqedonisë së Veriut, mund të sjellë luhatje të çmimeve të ushqimeve dhe lëndëve të para që vendi ynë i importon prej tyre. FMN-ja parashikon që inflacioni në Maqedoninë e Veriut të jetë rreth 4% në vitin 2026, por ky numër mund të rritet nëse importet shtrenjtohen.
Trazirat në vendet fqinje mund të shërbejnë si një “shkëndijë” inflatuese për lëvizjet sociale brenda vetë Maqedonisë së Veriut. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (SSM) ka zhvilluar protesta duke kërkuar rritjen e pagës minimale në 600 euro. Pamjet e protestave masive për koston e jetesës në Francë, Itali dhe Shqipëri mund të rrisin guximin e sindikatave dhe të rinjve për të përshkallëzuar kërkesat e tyre, duke krijuar presione të reja mbi buxhetin e shtetit. Qeveria duhet të bëjë çmos që të përmirësojë standarin jetësor, stabilitetin ekonomik dhe të vazhdojë projektet kapitale, sidomos ndërtimin e autostradave. Edhe pse qeveria vazhdon të mbajë çmimin më të ulët të naftës në rajon, sërish produktet janë shumë të shtrenjta, ndërsa rrogat janë ndër më të ulëtat në rajon, shkruan “Zhurnal.mk”.
