Tragjedi në New York City, foshnja 7-muajshe humb jetën nga një plumb ‘qorr’ në Brooklyn

Nga Xh M
835 e lexuar
A+ A-
Rivendos

New York, 2 prill Zhurnal.mk – Një ngjarje e rëndë ka tronditur New York City, ku një foshnjë vetëm 7 muajshe ka humbur jetën pasi u qëllua në kokë nga një plumb ‘qorr’, ndërsa ndodhej në karrocën e saj.

Incidenti ndodhi në lagjen Brooklyn, brenda një dyqani ushqimesh, ku nëna, Liana Charles Moore, ishte së bashku me partnerin dhe dy fëmijët e saj të vegjël. Fillimisht, familja mendoi se zhurmat ishin fishekzjarre, por situata u bë dramatike kur plumbat thyen xhamat e dyqanit.

Nëna kuptoi tmerrin kur pa vajzën e saj, Kaori, të qëlluar në kokë. Ajo shpërtheu në britma dhe u përpoq ta mbante, por plagët rezultuan fatale. Foshnja u dërgua me urgjencë në spital, ku mjekët konfirmuan vdekjen e saj.

Ngjarja u bë edhe më dramatike pasi vëllai dyvjeçar i viktimës mbeti i plagosur lehtë nga një plumb dhe u transportua gjithashtu në spital për trajtim.

Në një deklaratë për New York Post, nëna e shkatërruar tregoi momentet e tmerrit, duke rrëfyer se fillimisht kishte përqafuar djalin e saj dhe më pas kishte parë vajzën pa jetë. Ajo tha se vogëlushja kishte filluar së fundmi të shqiptonte fjalën “mama” dhe e përshkroi atë si një fëmijë të pafajshëm që nuk e meritonte një fat të tillë.

Policia ka arrestuar një person në lidhje me të shtënat, ndërsa është në kërkim të një të dyti. Autoritetet kanë publikuar gjithashtu pamje nga kamerat e sigurisë, ku dyshohet se autorët janë përfshirë në një aksident me motoçikletë vetëm pak blloqe larg vendit të ngjarjes, pasi u përplasën me një automjet që vinte nga drejtimi i kundërt.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, ndërsa nëna e viktimës kërkon drejtësi për vajzën e saj, duke theksuar se familja e saj u gjend rastësisht në vendin e gabuar në momentin më tragjik.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër