Shkup, 4 prill Zhurnal.mk – Aktivistët dhe organizatorët e protestave të studentëve të juridikut janë përballur me thirrje nga policia për biseda informative, në një moment kur çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po tensionon gjithnjë e më shumë skenën publike dhe politike në vend.
Njëri nga organizatorët, Mevlan Ademi, është ftuar sot në stacionin policor në Bit Pazar për të dhënë deklaratë lidhur me organizimin e protestave të fundit. Sipas tij, edhe bashkëorganizatori Jon Selimi është marrë më herët në pyetje nga policia.
Ademi ka bërë të ditur se pyetjet e drejtuara ndaj Selimit kanë qenë të natyrës organizative, si përdorimi i megafonëve, pankartave dhe mënyra e zhvillimit të protestës, ndërsa pret që edhe ai të përballet me pyetje të ngjashme.
“Pas njoftimit për protestën e së hënës, kolegu im është ndaluar për një kohë dhe është marrë në pyetje. Edhe mua më ka ardhur ftesë për bisedë informative dhe pres të shoh se çfarë do të më pyesin,” deklaroi Ademi.
Këto zhvillime vijnë në kohën kur 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete juridike – Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti “Nënë Tereza” – kanë ngritur zërin përmes një peticioni, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me gjuhën në të cilën ndjekin studimet.
Ministria e Drejtësisë, e udhëhequr nga Igor Filkov, ka mbajtur qëndrim se provimi nuk mund të organizohet në shqip, duke e konsideruar atë si provim profesional dhe jo procedurë administrative. Nga ana tjetër, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve ka konstatuar shkelje dhe i ka tërhequr vërejtje ministrisë për mosrespektim të detyrimeve ligjore.
Edhe Avokati i Popullit ka propozuar ndryshime konkrete ligjore, duke kërkuar harmonizimin e ligjeve për jurisprudencën, noterinë dhe përmbarimin me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, në mënyrë që të mundësohet dhënia e provimit në shqip.
Ndërkohë, Qeveria ka dhënë sinjale të përziera. Kryeministri Hristijan Mickoski fillimisht është shprehur në favor të mundësimit të provimit në shqip, por më pas ka theksuar se ligji aktual nuk e lejon një gjë të tillë, duke paralajmëruar mundësi për ndryshime ligjore dhe përfshirjen e Komisionit të Venecias në këtë proces.
Çështja ka shkaktuar përplasje politike mes pozitës dhe opozitës shqiptare, ndërsa ekspertët dhe përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se mbajtja e provimit në gjuhën shqipe është e drejtë legjitime dhe nuk përbën rrezik për sistemin.
Pavarësisht debatit, studentët kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave, duke insistuar në realizimin e të drejtës së tyre për arsim dhe vlerësim profesional në gjuhën amtare.
