Shkup, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Shërbimet e sigurisë dhe inteligjencës përbëjnë një nga shtyllat më të ndjeshme të funksionimit të çdo shteti demokratik. Në Maqedoninë e Veriut, Agjencia për Siguri Kombëtare (ANB) dhe Agjencia e Inteligjencës kanë rol kyç në mbrojtjen e rendit kushtetues, sigurisë kombëtare, luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe kërcënimeve hibride. Pikërisht për këtë arsye, iniciativa e Qeverisë për bashkimin e këtyre dy institucioneve ka hapur një debat të gjerë politik dhe publik. Ndërsa pushteti e paraqet reformën si një modernizim të sistemit të sigurisë sipas modeleve të vendeve të NATO-s, opozita paralajmëron për rreziqe që lidhen me përqendrimin e pushtetit dhe rikthimin e praktikave problematike të së kaluarës, shkruan Zhurnal.
Çfarë po tenton të ndryshojë qeveria?
Nisma e Qeverisë së drejtuar nga Hristijan Mickoski synon bashkimin e Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe Agjencisë së Inteligjencës në një institucion të vetëm. Sipas kryeministrit, kjo reformë është pjesë e programit zgjedhor të VMRO-DPMNE-së dhe po zhvillohet në bashkëpunim me institucionet kompetente dhe partnerët strategjikë të vendit.
Argumenti kryesor i pushtetit është se sistemi aktual, me dy institucione të ndara, krijon mbivendosje kompetencash dhe pengesa në koordinimin e informacionit.Qeveria këmbëngul se procesi nuk do të zhvillohet në mënyrë të fshehtë, por përmes debatit publik dhe me mbikëqyrje të përforcuar parlamentare. Mickoski ka deklaruar se institucioni i ri do të funksionojë nën kontroll më të madh demokratik dhe se Parlamenti do të ketë rol vendimtar në mbikëqyrjen e punës së tij.
Sipas tij, objektivi është ndërtimi i një mekanizmi më efikas për sigurimin e informacioneve që lidhen me mbrojtjen e sovranitetit dhe sigurisë së shtetit.Një nga argumentet më të forta të pushtetit është se kushtet aktuale janë shumë të ndryshme nga ato të periudhës kur vendi u përball me skandale të përgjimeve masive. Qeveria thekson se sot ekziston Agjencia Operative Teknike (OTA), e krijuar pikërisht për të ndarë kapacitetet teknike të përgjimit nga shërbimet e inteligjencës. Sipas këtij interpretimi, rikthimi i një sistemi të pakontrolluar përgjimesh do të ishte praktikisht i pamundur për shkak të mekanizmave të rinj ligjorë dhe institucionalë.
Për më tepër, Mickoski e justifikon reformën duke iu referuar përvojave të vendeve partnere të NATO-s. Ai ka përmendur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kroacinë dhe disa vende evropiane si modele ku koordinimi ose bashkimi i kapaciteteve të inteligjencës ka sjellë efikasitet më të madh operativ. Megjithatë, mbetet e paqartë se cili model konkret do të ndiqet dhe si do të adaptohet ai në rrethanat specifike të Maqedonisë së Veriut.
Ky propozim i papranueshëm për oponentët politikë
Nisma e Qeverisë ka hasur në kundërshtim të fortë nga partitë opozitare dhe një pjesë e ekspertëve të sigurisë. Kritikët argumentojnë se problemi kryesor nuk qëndron te mungesa e institucioneve, por te mungesa e koordinimit midis tyre. Ata rikujtojnë se Këshilli për Koordinimin e Shërbimeve të Inteligjencës, organ i krijuar pikërisht për këtë qëllim, nuk është mbledhur prej dy vitesh, gjë që sipas tyre dëshmon dështim institucional dhe jo boshllëk ligjor.
LSDM-ja dhe partia E Majta kanë ngritur dilema serioze mbi arsyet e shfuqizimit të Ligjit për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë dhe Inteligjencës. Sipas tyre, Qeveria po eliminon një mekanizëm që nuk e ka vënë asnjëherë në funksion të plotë dhe, në vend se të forcojë koordinimin ekzistues, po tenton të krijojë një strukturë të re pa sqaruar se si do të funksionojë kontrolli demokratik mbi të.
Ndër kritikët më të zëshëm është edhe ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, i cili paralajmëron se një bashkim i tillë mund të krijojë kushtet për rikthimin e një modeli të ngjashëm me ish UDB-në. Sipas tij, përqendrimi i të gjitha funksioneve të inteligjencës në një institucion të vetëm krijon rrezik për centralizim të tepruar të pushtetit dhe potencialisht dobëson sistemin e balancave dhe kontrollit që është ndërtuar pas krizës politike të viteve të kaluara.
Shqetësimi kryesor i kundërshtarëve të reformës nuk lidhet vetëm me strukturën organizative, por me kujtesën politike të vendit. Skandali i përgjimeve masive, ndjekjet politike dhe akuzat për instrumentalizimin e institucioneve të sigurisë vazhdojnë të jenë plagë të hapura në opinionin publik. Për këtë arsye, opozita kërkon transparencë të plotë, përfshirje të ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë dhe garanci konkrete se reforma nuk do të shndërrohet në një mjet për zgjerimin e ndikimit politik mbi sektorin e sigurisë.
Kujtojmë që, debati për bashkimin e ANB-së dhe Agjencisë së Inteligjencës është çështje që prek drejtpërdrejt raportin midis sigurisë kombëtare dhe kontrollit demokratik të institucioneve. Nëse reforma do të sjellë një sistem më efikas, më profesional dhe më të mbikëqyrur, ajo mund të konsiderohet një hap përpara në modernizimin e shtetit. Por nëse procesi perceptohet si përqendrim i pushtetit pa garanci të mjaftueshme institucionale, rrezikon të ringjallë frikërat dhe ndasitë e së kaluarës. /Zhurnal.mk
