Mickoski pas humbjes në Bërvenicë: Ishim të vetëm kundër të gjithëve

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 1 nëntor Zhurnal.mk – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka reaguar pas humbjes së kandidatit të VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet lokale në Bërvenicë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Mickoski ka deklaruar se partia e tij ishte përballur me të gjithë, duke pretenduar se kundërshtarët kishin përdorur kartën etnike dhe, siç është shprehur ai, ndonjë “kalë trojan” për të tërhequr vota.

Megjithatë, kreu i Qeverisë ka theksuar se votat për kandidatin e tyre janë rritur nga 3.000 në raundin e parë në 4.200, ndërsa në krahasim me zgjedhjet parlamentare, sipas tij, kanë shënuar rritje prej 1.300 votash.

Ai ka pranuar se kjo rritje nuk ishte e mjaftueshme për të siguruar fitoren.

Mickoski ka falënderuar të gjithë banorët e Bërvenicës, pavarësisht nëse kanë votuar apo jo për kandidatin e VMRO-DPMNE-së, duke premtuar se të gjithë do ta kenë mbështetjen e Qeverisë.

“Një Bërvenicë për të gjithë është më shumë se një koncept, është mënyrë e të punuarit”, ka përfunduar Mickoski reagimin e tij.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër