“Aeroporti i Vlorës nuk do hapet asnjëherë”, Behgjet Pacolli akuza drejtësisë shqiptare

Nga Xh M
296 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Vlorë, 13 prill Zhurnal.mk – Biznesmeni Behgjet Pacolli ka qenë i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion”, ku ka folur për situatën e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, një projekt strategjik që prej muajsh ndodhet në ngërç.

Sipas tij, punimet janë ndërprerë si pasojë e vendimeve gjyqësore dhe konfliktit mes aksionarëve të shoqërisë koncesionare, ku MABCO zotëron shumicën e aksioneve dhe 2A Group një pjesë të vogël të tyre.

Pacolli theksoi se kompania është zhveshur nga kontrolli mbi projektin, duke e bërë të pamundur vijimin normal të punimeve dhe procesit të certifikimit.

“Jemi pezulluar se gjoja ne e kemi shitur te një kompani ruse. Dhe publiciteti që është ndërtuar, narrativat që janë ndërtuar prej analistëve dhe televizioneve janë pa asnjë bazë”, tha Pacolli duke “drejtuar gishtin” nga drejtësia shqiptare dhe sipas tij vendimet e gjykatës janë të pabaza.

Më tej, biznesmeni theksoi se nëse Aeroporti do të vijojë të qëndrojë i bllokuar si pasojë e ish-ortakut të tij, Valon Ademit, atëherë ai nuk do të hapet asnjëherë.

“Infrastruktura e Aeroportit nuk është bërë. Ju e dini që prej 30 gushtit MABCO nuk po ndërton asnjë kontroll. Ne jemi zhveshur nga çdo lloj mundësie e kontrollit. Me vendim të gjykatave. Gjykatat e tuaja.

Ata janë gjykatës të cilët e zhveshin pa bazë ligjore. Me narracion të dikujt që vjen… Unë nuk dua të flas për njerëz të tjerë, por unë flas për atë që shoh. Ka vendime prej 22 tetorit të vitit të kaluar dhe deri tani ka vendime të gjykatave që e kanë zhveshur MABCO nga çdo vendimmarrje. Sot njerëzve të mi nuk u lejohet të futen në vendin e punës, ne kemi qenë duke vendosur ndriçimin dhe na e kanë ndaluar me dhunë punën.

Jemi pezulluar se gjoja ne e kemi shitur te një kompani ruse. Dhe publiciteti që është ndërtuar, narrativat që janë ndërtuar prej analistëve dhe televizioneve janë pa asnjë bazë. Nëse Aeroporti i Vlorës është i bllokuar prej 2 përqindshit, jo këtë vit, po asnjëherë nuk mund të hapet. Nëse janë paralizuar punët e MABCO-s dhe nëse do të ketë një aeroport, ai do të jetë i pasigurt.

Nuk mund të hapet për fluturime pa u certifikuar. Ai duhet të certifikohet, nëse është respektuar standardi. Por sot ne nuk mundemi as të fillojmë certifikimin”, tha Pacolli ndër të tjera.

Përplasja në Aeroportin e Vlorës:

Aeroporti i Vlorës është përfshirë në një skemë të errët, me përplasje mes aksionerëve dhe hetime nga organet e drejtësisë. Konflikti mes biznesmenit Behgjet Pacolli dhe Valon Ademit ka marrë përmasa publike dhe ligjore, ndërkohë që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetime për kontratën koncesionare që financon projektin.

Valon Ademi përfaqësues i kompanisë 2A Group, fillimisht ka pasur 2% të aksioneve në Aeroportin e Vlorës. Ndërkohë pas tërheqjes së turqëve, Yda , të cilët i shitën aksionet e tyre për 4200 euro, Ademi ka pretenduar se mes tij dhe Pacollit u firmos një kontratë ku atij i kaluan 47% të aksioneve.

2A Group e Ademit kërkon të njihet si 47 për qind aksioner duke pasur në dorë kontratën por edhe gjithë dokumentet e investimit gjatë këtyre dy viteve, ndërsa Mabco e Pacollit refuzon dhe ka marrë një vendim si aksioner kryesor që të mos lejohet ndryshimi i aksioneve.

Gjithashtu ai ka akuzuar Pacollin se ka bërë marrëveshje financiare, huanë prej 100 milionë eurosh, pa e njoftuar dhe përfshirë në mënyrë të saktë ortakun e vogël, dhe se shumë nga këto fonde nuk kanë ardhur të regjistruara në Shqipëri.

Avokati i Ademit ka deklaruar se kur firma turke që kishte marrë pjesë në projekt (YDA Group) u tërhoq, aksionet e saj kaluan te Mabco, e Behgjet Pacollit, dhe në të njëjtën ditë u nënshkrua marrëveshje mes Pacollit dhe Ademit, me ndarje që sipas tyre duhej të ishte 49–51. Por Mabco kundërshton këtë variant dhe nuk pranon që të bëhet regjistrim zyrtar i pjesëmarrjes sipas kontratës noteriale.

Më herët Pacolli ka vendosur të shkarkojë administratorin e kompanisë koncesionare të aeroportit, Valon Lluka, me votat e vetë Mabco-s, pa praninë ose miratimin e 2A Group. 2A Group pretendon se ky veprim është bërë për të forcuar kontrollin e Pacollit dhe për të eliminuar çdo pengesë institucional ose ligjore. Gjykata e Tiranës ndërhyri duke pezulluar lëvizjet e Pacollit lidhur me aksionet e aeroportit, duke ndaluar çdo ndryshim në strukturën e aksioneve derisa të sqarohet ligjërisht se kujt i takojnë ato aksione në të vërtetë. Ndërkohë, Valon Ademi ka bërë kallëzime penale kundër Pacollit, përfshirë akuza për mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe manipulim të aksioneve.

Ndërkaq, SPAK ka marrë një rol kyç, në korrik 2025 është regjistruar një procedim penal në fazë paraprake për kontratën koncesionare të Aeroportit të Vlorës. SPAK po heton nëse kontrata është dhënë në mënyrë të ligjshme, nëse kushtet financiare dhe ndërtimore janë përputhur me ligjet për prokurimet publike dhe nëse janë abuzuar me procedurat e kontraktimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër