Tiranë, 17 Prill, Zhurnal.mk – Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë vendosi sot shfuqizimin e masave disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe seancë plenare” për 30 ditë për deputetët Flamur Noka, Albana Vokshi, Elda Hoti, Belind Këlliçi, Klevis Balliu dhe Fidel Kreka.
Këshilltari ligjor i Partisë Demokratike, Marash Logu në një postim në rrjetet sociale informoi se “masat disiplinore lidheshin me seancën plenare të datës 18 dhjetor 2025, ndërsa vendimet e shfuqizuara nga Gjykata ishin marrë në datën 23 dhjetor 2025 nga Sekretariati për Etikën, dhe lënë në fuqi në datën 20 janar 2026 nga Byroja e Kuvendit”.
Sipas Logut, pas vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ky është rasti i dytë që Gjykata vendos shfuqizimin e masave disiplinore ndaj deputetëve të opozitës për shkak se janë marrë në kundërshtim flagrant me ligjin.
