Papa Leone XIV dënon shfrytëzimin dhe pabarazinë nga të fuqishmit

Nga D. V.
143 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Angola, 20 prill, Zhurnal.mk – Papa Leone XIV dënoi sot shfrytëzimin dhe pabarazinë gjatë një vizite në Angola, duke theksuar se shpresa e shumë njerëzve po zbehet nga dhuna dhe padrejtësia.

“Sot shohim se si shpresa e shumë njerëzve zhgënjehet nga dhuna, shfrytëzohet nga të fuqishmit dhe mashtrohet nga të pasurit”, tha ai duke folur në ndalesën më të fundit të turit të tij në kontinent.

“Kur padrejtësia korrupton zemrat, buka e të gjithëve bëhet pronë e pakicës”, shtoi ai.

Papa kremtoi një meshë në qytetin e Saurimos, ku morën pjesë rreth 60 000 besimtarë.

Qyteti, me rreth 520 000 banorë, ndodhet në brendësi të vendit dhe është një nga qendrat e industrisë së diamanteve në Angola.

Gjatë luftës civile që zgjati për disa dekada, pas pavarësisë nga Portugalia në vitin 1975, grupet e armatosura financoheshin përmes të ardhurave nga diamantet dhe nafta.

Popullsia vijon të vuajë pasojat afatgjata të konfliktit, ndërsa pabarazitë mes të pasurve dhe të varfërve mbeten të theksuara.

Më herët gjatë vizitës, në ndalesën e tretë të turit afrikan, kreu i rreth 1, 4 miliardë katolikëve në botë, kritikoi gjithashtu shfrytëzimin e kontinentit nga fuqitë e huaja dhe korporatat ndërkombëtare.

Angola është e pasur me burime natyrore dhe një furnizuese e rëndësishme e naftës dhe gazit, megjithatë shumë nga 37 milionë banorët e saj, jetojnë ende në varfëri.

Mbi 90% e popullsisë është e krishterë, dhe rreth gjysma janë katolikë.

Papa Leone do të udhëtojë nesër drejt Guinea Ekuatoriale, ndalesa e fundit e turit të tij 11-ditor.

Afrika mbetet një nga rajonet ku Kisha Katolike po rritet më shpejt, me rreth 290 milionë besimtarë aktualisht – më shumë se në Evropë.

Sipas parashikimeve, ky numër mund të kalojë 700 milionë deri në fund të këtij shekulli.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër