Zbulohet fragment i “Iliadës” brenda një mumie

Nga D. V.
110 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Një zbulim i pazakontë arkeologjik në Egjipt ka nxjerrë në dritë një fragment të veprës së lashtë “Iliada”, i cili është gjetur i vendosur brenda një mumie të periudhës romake, në një rast që studiuesit e cilësojnë “pa precedent”. 

Zbulimi është bërë nga misioni arkeologjik i Oxyrhynchus i Universiteti i Barcelonës gjatë gërmimeve në zonën e Al-Bahnasa, një nga qendrat më të rëndësishme të periudhës greko-romake në Egjipt.

Sipas njoftimit të universitetit, fragmenti i Homerit i datuar rreth 1 600 vjet më parë, është zbuluar në Tombën 65, në Sektorin 22, i vendosur mbi barkun e mumies si pjesë e procesit të balsamimit. Ky konsiderohet rasti i parë i dokumentuar kur një tekst letrar grek është integruar qëllimisht në ritualin e mumifikimit, pasi deri më tani janë gjetur vetëm papirusë me përmbajtje magjike ose rituale.

Studimet e kryera nga ekipi shkencor pas gjetjes kanë identifikuar fragmentin si pjesë të “Katalogut të anijeve” nga Libri II i “Iliadës”, një seksion që përshkruan forcat greke të mbledhura për luftën e Trojës.

Gërmimet janë zhvilluar gjatë periudhës nëntor–dhjetor 2025, nën drejtimin e arkeologes Núria Castellano, ndërsa analiza dhe restaurimi i materialit janë realizuar në fillim të vitit 2026 nga specialistë të fushës së papirologjisë dhe filologjisë.

Sipas studiuesve, prania e një teksti letrar në një kontekst funerari përfaqëson një risi të rëndësishme për kuptimin e ndërthurjes së kulturës greke me praktikat mortore në Egjiptin e vonë antik.

Siti i Al-Bahnasa, rreth 190 kilometra në jug të Kajros, përgjatë degës së Nilit Bahr Yussef, vazhdon të konfirmohet si një nga zonat më të pasura për zbulime të periudhës greko-romake. Gërmimet e fundit kanë zbuluar një kompleks funerari me dhoma prej guri gëlqeror dhe disa varre, një pjesë e të cilave janë dëmtuar nga grabitjet e hershme.

Misioni i Oxyrhynchus, aktiv që prej vitit 1992, mbetet një nga projektet më të qëndrueshme arkeologjike spanjolle në Egjipt, duke sjellë vazhdimisht zbulime me rëndësi historike dhe filologjike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër