Shkup, 7 tetor, Zhurnal.mk – Top lajmi gjatë ditës së djeshme ishte se numri i shqiptarëve të punësuar në administratën shtetërore gjatë vitit 2025 është rritur në 22.8 për qind. Këtu u sqarua se kjo rritje është vetëm për 0.5 për qind, sepse në vitin 2024 përqindja e shqiptarëve në adminstratën shtetërore ka qenë 22.3 për qind.
Edhe pse në ueb faqen në internet të Avokatit të popullit nuk është publikuar ende ky raport ku thirren zyrtarët e VLEN-it, megjithatë nëse rritja është për gjysmë përqindje, atëherë i bie që nga gjithsej 128.009 të punësuar sa janë gjithsej në administratë, numri i shqiptarëve të punësuar vetëm në vitin 2025 të jetë rreth 640 persona.
VLEN duhet ta dijë se kjo shifër është një rritje normale, sepse kjo vjen si rezultat i nevojës për punësime pas daljes së të moshuarve në pension, atyre që largohen nga administrata, atyre që vdesin dhe si nevojë e rritjes së numrit të insitucioneve. Andaj, nëse është ky numër për t’u krenuar atëherë ky është TURP, shkruan “Zhurnal.mk”.
Rritja e shqiptarëve në administratë është minimale
Nëse analizohet raporti i Avokatit të Popullit për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat deri në vitin 2024 (https://ombudsman.mk/media/documents/Izvestaj-SPZ-2024-etnicka-Alb.pdf), arrijmë të vërejmë se në vitet e fundit, numri i shqiptarëve që punësohen në administratën shtetërore është tepër minimal.
Në pesë vitet e fundit, rritja ka shkuar nga 20.1 për qind në 22.8 për qind. Në veçanti rritja më e voglës është gjatë tre viteve të fundit, kur në vititn 2022 përqindja është 21.4%, në vitin 2023 arrin në 21.7% dhe në vitin 2024 arrin në 22.3%. Sipas zyrtarëve të VLEN-it, në vitin 2025 kjo përqindje e shqiptarëve ka arritur në 22.8 %.
Nëse analizohen vitet e fundit, proporcioni midis shqiptarëve dhe maqedonasve që janë të punësuar në administratë është shumë i madh. Në vitin 2024, nga 128.009 të punësuar në 1340 institucione, 71.0 % të punësuarve janë maqedonas ose 90.901 persona, 22.3 % ose 28.576 janë shqiptarë, 2.2% ose 2.756 persona janë turq, 1.3% ose 1.671 persona janë romë, 1.3 për qind ose 1.707 persona janë serbë, 826 persona ose 0.6 % janë vllehë, 711 ose 0.6% janë boshnjakë dhe 861 persona pse 0.7% janë të komuniteteve tjera.
Nëse bazohemi në regjistrimin e fundit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, të vitit 2021, përqindja e popullsisë sipas përkatësisë etnike ndahet në dy kategori kryesore: popullsia rezidente (brenda vendit) dhe popullsia totale e regjistruar (duke përfshirë edhe diasporën).
Popullsia rezidente brenda vendit është:
• Maqedonas: 58.44%
• Shqiptarë: 24.30%
• Turq: 3.86%
• Romë: 2.53%
• Serbë: 1.30%
• Boshnjakë: 0.87%
• Vllehë: 0.47%
Popullsia Totale (përfshirë diasporën / jorezidentët)
• Maqedonas: 54.21%
• Shqiptarë: 29.52%
• Turq: 3.98%
• Romë: 2.34%
• Serbë: 1.18%
• Boshnjakë: 0.87%
• Vllehë: 0.44%
Pra, nga këto statistika vërejmë se përqindja e maqedonasve në administratë është e tepërt dhe të gjitha komunitetet tjera nuk janë mfjatueshëm të përfaqësuar, e sidomos shqiptarët, të cilët minimum duhet të jenë rreth 25 ose 29.52 për qind, shkruan “Zhurnal.mk”.
Me ose pa balancuesin, VLEN të punojë për përfaqësim më të madh të shiptarëve
Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore. Kjo pasi Gjykata Kushtetuese më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.
Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.
Të dhënat e raportit të Avokatit të Popullit për përfaqësimin etnik janë me rëndësi të veçantë, pasi iu referohen periudhës kur pas shfuqizimit të balancuesit, nuk ka asnjë mekanizëm ligjor në fuqi, që obligon apo detyron institucionet të punësojnë sipas etnisë.
Raporti duhet të japë pasqyrë më të qartë nëse mungesa e këtij mekanizmi ka disbalancuar strukturën e përkatësisë etnike nëpër institucione, duke e pasur parasysh se tanimë dy vite kriteri etnik nuk merret fare parasysh nëpër konkurset publike për punësim në administratë.
Ndërkohë ligji që do të duhej të rregullonte çështjen edhe pse nuk parashikon kuota të sakta për punësimin e etniteteve, ashtu siç parashikonte balancuesi, mbetet i bllokuar në Kuvend, pasi shumica parlamentare nuk i ka numrat e nevojshme të Badenterit.
Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, u miratua nga Qeveria më 7 prill dhe u dorëzua në Kuvend më 8 maj.
VLEN duhet ta dijë se kjo shifër është e rritjes prej 0.5% nuk është ndonjë arritje e veçantë. Sepse kjo rritje në administratë është normale, dhe vjen vjen si rezultat i nevojës pas daljes së gjeneratave të vjetra në pesnion, atyre që largohen nga puna dhe atyre që vdesin. Prandaj, rritja me 0.5% është shifër që nuk duhet krenuar, por që duhet të jetë alarm se diçka nuk shkon siç duhet. Përgjegjësi duhet të mbajnë të gjithë, sepse diskrapanca midis maqedonasve dhe shqiptarëve në administratë është shumë e madhe, e sidomos në hirearkinë dhe pozicionet udhëheqëse, shkruan “Zhurnal.mk”.
