Uashington, 23 prill, Zhurnal.mk – Presidenti amerikan Donald Trump pritet t’i japë Iranit vetëm disa ditë kohë, për të arritur një propozim të unifikuar për përfundimin e luftës, raportoi dje në mbrëmje media amerikane, duke cituar zyrtarë të SHBA-së.
Sipas “Axios” dhe “Fox News”, Trump është i gatshëm të zgjasë armëpushimin aktual me tre deri në pesë ditë.
Zgjatja e shpallur të martën, sipas këtyre raportimeve, është vetëm një masë afatshkurtër.
CNN, duke cituar dy burime në dijeni të diskutimeve të brendshme, raportoi se Trump kishte planifikuar t’i jepte Teheranit një afat të kufizuar, për të paraqitur një propozim të përbashkët për rifillimin e negociatave dhe procesit diplomatik.
Nuk është e qartë nëse ky afat u është komunikuar autoriteteve iraniane.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt deklaroi para gazetarëve se presidenti Trump nuk ka vendosur ende për një afat të prerë, për dorëzimin e propozimit nga Irani, por theksoi se ai do ta përcaktonte vetë afatin përfundimtar.
Më herët, Trump zgjati në mënyrë të njëanshme armëpushimin, përpara se ai të përfundonte – duke deklaruar se armiqësitë do të pezulloheshin derisa udhëheqja iraniane të paraqiste një qëndrim të unifikuar negociues.
Ai nuk njoftoi një afat të ri në postimin e tij në “Truth Social”.
Irani nuk ka reaguar publikisht deri më tani.
